Alarm në Aeroportin e Frankfurtit, malaria prek 6 punonjës, humb jetën një prej tyre

Një rast i rrallë i transmetimit të malaries në Gjermani ka shkaktuar alarm në Aeroportin e Frankfurtit. Gjashtë punonjës të aeroportit janë infektuar me malarie, ndërsa një prej tyre ka humbur jetën.
Mediat gjermane bëjnë me dije se pesë punonjësit e infektuar po marrin trajtim mjekësor, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë nisur hetimet për të zbuluar burimin e infeksionit. Dyshimi kryesor është se mushkonjat e infektuara kanë hyrë në aeroport përmes një avioni. Për këtë arsye, në zonat e aeroportit janë vendosur kurthe për mushkonjat, të cilat do të analizohen në laborator për të përcaktuar specien dhe origjinën e tyre. “Me keqardhje, duhet të konfirmojmë se një punonjës ka vdekur si pasojë e infeksionit”, tha një zëdhënës i kompanisë.
Aeroporti Fraport ka informuar stafin për situatën dhe u ka bërë thirrje punonjësve që të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse shfaqin simptoma të dyshimta. Shpërthimi u bë publik fillimisht në korrik, kur u raportua se katër punonjës ishin infektuar. Sipas Institutit Robert Koch, ata u sëmurën midis 4 dhe 6 korrikut.
Transmetimi i malaries brenda Gjermanisë konsiderohet një ngjarje jashtëzakonisht e rrallë. Shumica e rasteve të diagnostikuara në vend lidhen me persona që janë infektuar gjatë udhëtimeve në vende ku malaria është e përhapur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




