Algoritmet apo syri njerëzor? Tare dhe Comolli, dy politika të ndryshme që ngjajnë

Futboll Bota | 12 muaj më parë

Për drejtorin sportiv të Milanit, statistikat mund të japin një dorë, për administratorin e Juventusit janë baza e të gjitha fazave të jetës së një klubi. Në fund, për të përcaktuar blerjen ose jo të një futbollisti, qasja është shumë e ngjashme për të dy.

Prestigjiozja italiane “La Gazzetta dello Sport” i ka kushtuar një artikull special politikave të punës së drejtuesit shqiptar të Milanit dhe atij të Juventusit. Artikulli i plotë:

Kaq larg, por edhe kaq afër. Është folur shumë për politikën e blerjes së futbollistëve, për t’u besuar të dhënave dhe algoritmeve, apo për të ndjekur mënyrën e vjetër të merkatos, atë të bërë personalisht.

Damien Comolli, administratori i Juventusit, në “Hudl Performance Insights 2025” të mbajtur në Londër, ka theksuar: “Klubi i Juventusit e dinte që do ta vija bashkë me të dhënat, sepse kjo është mënyra me të cilën mendoj dhe veproj unë. Kjo është pjesë e mënyrës sime për të drejtuar një klub”.

Pastaj ka ardhur replika e Igli Tares, shqiptarit që mban postin e drejtorit sportiv të Milanit. Ai është shprehur se “të dhënat mund të të japin një dorë, por unë do t’i lija në sfond, sepse një grup jeton me logjikën e vet. Unë arsyetoj kështu dhe kështu veproj”.

Por a janë vërtet këto dy pozicione kaq shumë larg njëri-tjetrit? Realisht, janë shumë më pak nga sa mund të mendohet.

Së pari është e rëndësishme të saktësohet diçka: drejtuesi juventin ka folur në një konferencë të nivelit të lartë mbi përdorimin e të dhënave, kështu që ishte e paevitueshme që fokusi të ishte mbi të gjitha ai. Tare në anën tjetër e ka prekur argumentin në një intervistë 360°, në një kontest, ku krahasoheshin përfaqësuesit e industrisë së futbollit italian dhe atij ndërkombëtar.

Sigurisht, strategjitë e të dyve janë të ndryshme. Për Comolli-n komandojnë të dhënat në të gjitha fazat e jetës së një klubi, nga qasja taktike te parashikimi i dëmtimeve. Për Taren të dhënat mund të jenë një plus i mirë. Por, konkluzioni që të dy nxjerrin në fund për të përcaktuar zgjedhjen e një futbollisti është shumë i ngjashëm.

Si vlerësohet personaliteti? “Ka shumë rëndësi të kuptohet personaliteti i çdo futbollisti dhe personaliteti matet duket folur nga afër me të”, – ka thënë drejtuesi shqiptar i Milanit.

“Të dhënat na japin një indikacion për karakterin e personalitetit të lojtarit, por jo gjithçka. Ne i lëmë të dhënat të bëjnë punën e tyre, shohim ndonjë video, por nuk përdorim skautë siç bëjnë klubet e tjera”, – shpjegonte francezi në ‘Excellent Leadership Podcast’ një vit më parë, duke treguar eksperiencën e tij te Tuluza.

“Drejtuesi ynë i rekrutimit kalon 3-5 ditë me çdo objektiv final të merkatos, shkon në shtëpinë e tyre, del për darkë në restorantin e tyre të preferuar, takon babanë, nënën dhe vëllezërit për të kuptuar nëse kultura e tyre integrohet me tonën”, ka shtuar Comolli.

Kështu, me politika fillestare të ndryshme dy drejtuesit duket se zgjedhin të njëjtën rrugë, kur bëhet fjalë për mbyllur një blerje. Comolli gjithashtu ka shtuar: “Kur flas me një futbollist, një pyetje që i bëj është ‘Çfarë ndeshje ke parë dje në mbrëmje?’, apo edhe “cila është ndeshja e fundit që ke parë në televizor?’ Nëse lojtari nuk e ka përgjigjen gati, e kuptoj që nuk e do futbollin dhe kjo është një kambanë alarmi për ne. Nëse nuk e do futbollin, është e vështirë që të përmirësohet.

Është shumë e vështirë të stërvitësh dikë që nuk do që të stërvitet, që nuk do të rritet, që nuk është i impenjuar çdo ditë. Dhe kështu është shumë e vështirë që ai të ketë sukses. Nëse nuk është i pasionuar, është akoma më pak e mundur. Kemi dhe një set pyetjesh që i kemi bërë bashkë me psikologun e klubit dhe që ua bëjmë lojtarëve për të vlerësuar indirekt personalitetin e tyre. Edhe pse ata nuk e kuptojnë se po vlerësohen psikologjikisht”.

“Një lojtar është i fortë nëse është në gjendje të ringrihet pas një gabimi. Në atë moment duhet të tregosh se mund ta përballosh presionin e një klubi të madh si yni”, ka thënë Igli Tare në një event mbi personalitetin e lojtarëve. Ai në fakt është drejtori sportiv i një Milani, pronari i të cilit, Gerry Cardinale, nuk e ka fshehur kurrë se frymëzohet nga “Moneyball” dhe Billy Beane, drejtuesi i njohur i bejsbollit. Ai vinte në praktikë një sistem seleksionimi të sportistëve të bazuar ekskluzivisht mbi statistikat.

“Pyetja një milion dollarëshe është të kuptosh se cila është diferenca mes një sulmuesi të nivelit mesatar dhe një sulmuesi ‘top’. Nuk mund të jetë vetëm teknikë, është psikologjike,  -ka shpjeguar drejtuesi i Juventusit në Londër. – Kam parë Sinner në Torino dhe mendoja se për të luajtur kështu duhet të jesh jashtëzakonisht i përqendruar dhe i relaksuar në të njëjtën kohë. Si para portës kundërshtare në futboll. Kjo është shumë e vështirë, duhet përshtatja për t’u relaksuar dhe për të marrë frymë në më pak se një sekondë”.

Deklarata të ndryshme, koncepte të ngjashme nga Tare dhe Comolli. Kaq larg njëri-tjetrit, por edhe kaq afër.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme