Vizita e Ramës në Greqi, Alibali: Në kuadër të një turi europian për të zhbllokuar rrugën e Shqipërisë drejt BE-së
Analisti Neritan Alibali e sheh vizitën e kryeministrit Edi Rama në Greqi si pjesë të një turi europian, në përpjekje për të zhbllokuar, sipas tij, ngërçin në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Në emisionin “3D” nga Alban Dudushi, ai akuzoi kryeministrin Rama se nuk po punon për të përmbushur reformat e kërkuara nga BE-ja, por se “po përpiqet të aktivizojë miq dhe rrjete miqësish për të avancuar procesin e integrimit”.
Sipas analistit, përpjekja për t’u integruar në BE kërkon një klimë të mirë politike, bashkëpunim me opozitën dhe reforma.
“Nuk e shoh si një takim për të rikonfirmuar marrëdhëniet e mira me Greqinë, e shoh në kuadër të një turi europian që Rama ka ndërmarrë për t’u përpjekur të zhbllokojë ngërçin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së. E shoh të lidhur takimin me Melonin, Sanchez dhe Mitsotakis. Meloni deklaroi që me miqtë grekë do të flasim për ta ndihmuar Shqipërinë drejt BE-së. Greqia është një vend potencial frenues për integrimin në BE për çështjet që ka me ne, por jo vetëm Greqia. Taktika e zotit Rama është e tillë që, në vend që të plotësojë kërkesat për reformat e thella që i kërkon nga BE sot, përpiqet të aktivizojë miqtë dhe miqtë e miqve për të kaluar aprovimin. Me mik nuk futesh dot në BE, duhet një klimë e mirë politike në Shqipëri, duhet bashkëpunim me opozitën, duhen reforma dhe vendosmëri e madhe dhe natyrisht çështjet me Greqinë. Unë mendoj që edhe vetë grekët e kanë të vështirë heqjen e ligjit të luftës.”, tha analisti.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




