Dumani në Kuvend: Bashkëpunim ndërkombëtar kundër kokainës, SPAK përballet me presion nga politika dhe krimi

Aktualitet | 1 vit më parë

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Altin Dumani prezantoi në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë për vitin 2024 ku paraqiti një panoramë të gjerë të punës hetimore gjyqësore dhe rezultateve të arritura nga SPAK gjatë vitit

Në fjalën e tij Dumani theksoi se bashkëpunimi me agjencitë ndërkombëtare ka qenë i ngushtë dhe efektiv duke përmendur konkretisht FBI- DEA dhe Eurojust .

“Me FBI dhe DEA një bashkëpunim pa barriera Nuk ta jep kush këtë besim duhet të japësh prova” tha ai duke nënvizuar rëndësinë e besueshmërisë institucionale në marrëdhëniet ndërkombëtare

Ai deklaroi se SPAK ka nisur hetime për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit dhe turizmit duke thwnw se “Kemi nisur hetime për pastrim parash edhe për ndërtim edhe për turizëm 4 hotele janë konfiskuar tashmë si produkte të veprës penale Në ndërtim disa janë në proces konfiskimi Sa i takon kriptomonedhave kemi pasur hetim në vitin 2024”.

Në raportimin e tij ai konfirmoi se SPAK ka ushtruar ndjekje penale në çdo rast ku të dhënat e SKY kanë pasur bazë të mjaftueshme ligjore.

“Një anëtar i Kuvendit të Shqipërisë sot jemi para gjykimit në themel” tha ai duke nënvizuar se institucionet e drejtësisë nuk do të ndalen përballë figurave publike

Gjatë seancës Dumani iu përgjigj pyetjeve të deputetëve përfshirë një pyetje nga deputetja Jorida Tabaku e cila e pyeti nëse ai po dorëzohej përballë presioneve dhe pamundësisë për të hetuar korrupsionin.

 “Jo Unë nuk jam njeri që dorëzohem Do vazhdoj të jem prokuror i Republikës së Shqipërisë edhe pas mandatit kuptohet po na dha Zoti jetë” tha Dumani duke shtuar se nuk do të kandidojë për zgjatjen e mandatit nëse kjo lidhet me emrin e tij “Nëse politika e kushtëzon që zgjatja e mandatit lidhet me emrin tim unë nuk kandidojë. Unë nuk kam asnjë dilemë për të vazhduar punën time si prokuror dhe për të çuar përpara misionin e SPAK” përfundoi ai

Dumani: Krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me atë në Ballkan në trafikimin e kokainës, kemi marrëveshje për t’i luftuar

Kreu i SPAK, Altin Dumani, konfirmoi gjatë fjalës së tij në Kuvend se krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon ngushtë me grupet e krimit në Serbi dhe Mal të Zi, kryesisht në trafikimin e kokainës.

Ai theksoi se kjo është pjesë e një bashkëpunimi ndërkombëtar për luftën kundër krimit të organizuar, dhe se SPAK ka rritur nivelin e bashkëpunimit me autoritetet ligjzbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke përfshirë FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë.

“Vizita dhe takimi në Departamentin e Shtetit ka qenë një nga më të mirat që kam realizuar dhe kam takuar disa përfaqësues të lartë të departamentit të Shtetit, si përfaqësues të FBI, apo dhe të Departamentit të Drejtësisë. Se çfarë është biseduar në këto takime ne kemi bërë një komunikim me median dhe s’mund të them asgjë më shumë se ajo që është thënë në media. Është vlerësuar bashkëpunimi i SPAK me autoritete ligj zbatuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe luftës kundër krimit transaksional, luftën kundër narkotikëve  dhe veprave të tjera penale. Por kjo nuk ka të bëj fare me vizitën time në Mal të Zi”, theksoi Dumani.

Ai shtoi se bashkëpunimi me prokuroritë e Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut ka qenë shumë i suksesshëm, duke përfshirë hetime të përbashkëta dhe shkëmbim informacioni. Kjo është bërë e mundur përmes marrëveshjeve bilaterale, që përfshijnë hetime dhe veprime të koordinuara për të luftuar krimin e organizuar.

“Kemi një bashkëpunim shumë të mirë, të shkëlqyer do ta quaja me prokurorinë e Malit të Zi, me Prokurorinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Maqedonisë së Veriut, ku këto dy të fundit hetime të përbashkëta, skuadra të përbashkëta hetimore, hetime paralele, shkëmbime informacioni . Me Malin e Zi kemi një bashkëpunim të mirë me hetime paralele dhe shkëmbim informacioni dhe kemi marrëveshje e cila ndihmon bashkëpunimin mes nesh dhe Malit të Zi. Krimi i organizuar shqiptar bashkëpunon me krimin në Mal të Zi dhe me atë serb dhe mënyra më e mirë për ta luftuar është bashkëpunimi. Sa i takon vizitës se kryeprokurorit të posaçëm serb edhe kjo ishte një nevojë për të bashkëpunuar sepse para këtij takimi bashkëpunimi ishte sporadik, ishte nevojë sepse krimi i organizuar shqiptarë bashkëpunon me atë serb për trafikimin e kokainës. Kemi vendosur bashkëpunim konkret për luftën kundër krimit të organizuar”, tha ai

Dumani raporton në Kuvend: Nëse Ahmetaj dëshiron të bëhet bashkëpunëtorë është i mirëpritur

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, paraqiti sot (27 tetor),raportin vjetor të veprimtarisë për vitin 2024 para Kuvendit, duke theksuar rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dumani bëri të ditur se hetimet për çështjet e njohura, si ato lidhur me inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit gjyqësor dhe janë trajtuar sipas ligjit.

“Lidhur me çështjen e inceneratorëve, kemi këtu inceneratorët e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. SPAK ka hetuar në kuadër të këtyre 3 procedimeve penale, 71 persona të të gjithë niveleve, disa prej tyre janë me vendime penale të formës së prerë, disa janë të formës së prerë, disa janë në gjykim si dhe po hetohet për fakte penale dhe persona të tjerë të cilët mund të jenë përgjegjës për këtë veprimtari kriminale. Lidhur me pyetjen që bëhet për ta trajtuar në kuadër të grupit të struktura kriminal si një bashkëpunim të posaçëm të autorëve të veprës në veprën penale. Lidhur me Inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit, këto dy procedime penale kanë kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit gjygjwsor, jo vetëm ka kaluar shqyrtimin para gjyqtarit të seancës paraprake por edhe para trupit gjykues që ka gjykuar çështjen në themel dhe sa i takon formës së bashkëpunimit, e kanë gjetur te drejtë kualifikimin ligjor të bërë nga ana e Prokurorisë së Posaçme”, tha Dumani

Për sa i përket hetimeve të tjera, Dumani shpjegoi se ende nuk është marrë asnjë masë ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, pasi hetimet përkatëse ende janë në fazën e shqyrtimit. Po ashtu, ai theksoi se ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave, lidhur me cështjen e inceneratorëve, dhe se SPAK do të bëjë gjithçka për të siguruar dëshmitë e tij.

“Lidhur me pyetjen nuk e kam marrë ende si të pandehur zotin Veliaj? Dua të them siç dhe ju e dini hetimet paraprake nuk kanë përfunduar akoma lidhur me këtë procedim penal por vazhdojnë akoma. Lidhur me pyetjen a ka përpjekje të SPAK për të kërkuar një dëshmi të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj nga Zvicra? Deklarimet publike të tij vlerësohen rast pas rasti, për ne sot ai është një person në kërkim ndërkombëtar për veprën penale të korrupsionit pasiv, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe vepra të tjera penale e lidhur me Inceneratorët. Patjetër, që një subjekt i një vepre penale dëshiron të bëhet bashkëpunorë i drejtësisë dhe të bashkëpunoj me SPAK është i mirëpritur”, theksoi ai.

Altin Dumani: SPAK përballet me presion nga politika dhe krimi

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatw prezantimit  në Kuvend tw Raportit vjetor të veprimtarisë për vitin 2024, paraqiti një bilanc të gjerë të punës hetimore, gjyqësore dhe rezultateve të arritura nga institucioni që ai drejton.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se gjatë vitit 2024 janë sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë totale prej 65.8 milionë euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale.

“Tregues pozitiv paraqet edhe numri i procedimeve penale për pastrim të produkteve të veprës penale. Krahasuar me vitin 2023, kjo rritje është me 34%,” deklaroi Dumani.

Ai bëri të ditur se SPAK ka proceduar 48 persona për krime zgjedhore, ndërsa për këtë kategori janë regjistruar 43 procedime penale dhe 7 persona janë nën hetim. Në fushën e korrupsionit, 10 zyrtarë janë dënuar me vendim të formës së prerë, ndërsa për terrorizmin janë regjistruar 9 çështje, nga të cilat vetëm një është dërguar në gjykatë.

Dumani raportoi se numri i çështjeve në SPAK është rritur me 13% krahasuar me vitin pararendës, ndërsa janë ekzekutuar 79 vendime penale të formës së prerë, përfshirë 162 dënime me burgim dhe 32 me gjobë. Ai shtoi se SPAK ka shpallur në kërkim ndërkombëtar 107 persona dhe ka miratuar 41 ekstradime drejt Ministrisë së Drejtësisë.

Sa i përket masave të sigurimit, Dumani tha se masa “arrest me burg” është aplikuar për 263 persona, nga të cilët 12% janë të dyshuar për krim të organizuar. Megjithatë, 46 raste, ose 40% e personave nën hetim, janë zhvilluar pa masë sigurie.

“Numri i të paraburgosurve nga SPAK përbën 9.7% të totalit të paraburgimeve në Shqipëri. Në fushën e korrupsionit, 10 zyrtarë të dënuar me vendim të formës së prerë. Sa i përket terrorizmit, u regjistruan 9 çështje të eja, vetëm një u dërgua në gjykatë. Vlera e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara është 65.6 milionë euro. Për veprat penale që lidhen me krimet zgjedhore, janë 34 procedime penale dhe 7 persona në hetim. Këto të dhëna tregojnë efektivitet të Prokurorisë së Posaçme. Referuar të dhënave, 46 raste, ose 40 përqind i totalit të personave nën hetim në 2024, janë hetuar pa masë sigurimi. Gjatë vitit 2024, janë ekzekutuar 79 vendime penale, vendime të formës së prerë. Është dhënë vendimi për ndalim të funksioneve publike, për 35 persona fizikë dje juridikë. Drejtuesi i SPAK ka vendosur 12 kërkesa për mbajtje në regjim të posaçëm. Në 2024, janë miratuar drejt Ministrisë së Drejtësisë, 41 ekstradime. Rreth 34 përqind e personave të hetuar janë dërguar për gjykim” tha ai.

Drejtuesi i SPAK raportoi gjithashtu se janë dhënë vendime për ndalim të funksioneve publike për 35 persona fizikë dhe juridikë, si dhe janë paraqitur 12 kërkesa për mbajtje në regjim të posaçëm. Institucioni ka marrë pjesë në 6094 seanca gjyqësore në GJKKO gjatë vitit 2024.

Dumani nuk la pa përmendur sfidat që përballon SPAK, duke theksuar se niveli i krimit të organizuar mbetet serioz, dhe se institucioni ndjen presion nga aktorë politikë.

“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është vetëm një detyrë ligjore, por një angazhim institucional që kërkon mbështetje të gjerë dhe pa kompromis,” përfundoi Dumani, duke theksuar nevojën për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e besimit publik ndaj drejtësisë.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se vijo presioni nga krimi e politika kundrejt SPAK, duke rrezikuar integritetin institucional dhe të prokurorëve. Dumani u shpreh se ky shqetësim kërkon reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK, ndërsa edhe njëherë shtroi kërkesën që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë e rikandidimit pas përfundimit të mandatit të tyre 9-vjeçar.

“Ndaj SPAK vijon një presion i jashtëm nga aktorë politikë, mediatik dhe të krimit të organizuar që rrezikon integritetin institucional dhe të prokurorëve. Ky shqetësim kërkon reagim të koordinuar institucional për mbrojtjen e pavarësisë kushtetuese të SPAK. Ka një paqartësi ligjore mbi statusin e prokurorëve pas përfundimit të mandatit e cila krijon pasiguri dhe cenon vijimin e hetimeve të rëndësishme. Shqetësuese numri i ulët i referimeve për korrupsion nga institucionet“, tha Dumani.

Altin Dumani në Kuvend: Lufta kundër korrupsionit po jep rezultate konkrete, 65 milionë euro pasuri të konfiskuara

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor të veprimtarisë për vitin 2024, duke evidentuar rezultate të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dumani theksoi se, “Raporti vjetor i SPAK për vitin 2024 synon të evidentojë progresin e arritur në zbatimin e rekomandimeve të Bashkimit Evropian, të rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë dhe të prioriteteve të Këshillit të Ministrave, duke u përqendruar në aspektet cilësore të punës hetimore dhe gjyqësore, si dhe në forcimin e besimit publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, që mbeten shtylla themelore të veprimtarisë së institucionit”.

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Altin Dumani, gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2024 në Kuvend, ka theksuar se veprimtaria e institucionit që ai drejton është vlerësuar pozitivisht nga partnerët ndërkombëtarë, duke reflektuar progresin e prekshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Veprimtaria e SPAK është vlerësuar pozitivisht në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024, ku theksohet roli i institucionit në luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë dhe krimit të organizuar, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së,” u shpreh Dumani para deputetëve, duke nënvizuar rëndësinë e angazhimit institucional në përmbushjen e rekomandimeve evropiane.

Ai shtoi se edhe partnerët amerikanë kanë evidentuar kontributin e SPAK në dokumente strategjike të nivelit të lartë.

“Në Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar kundër Narkotikëve për vitin 2025, Departamenti Amerikan i Shtetit ka nënvizuar disa nga hetimet e suksesshme të SPAK, duke evidentuar kontributin e tij në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,” tha Dumani, duke e cilësuar këtë si një tregues të besimit dhe mbështetjes ndërkombëtare ndaj institucionit.

Sipas tij, puna e SPAK ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë edhe në perceptimin global për integritetin institucional në Shqipëri.

“Si rezultat i këtyre përpjekjeve, Shqipëria ka përmirësuar me 5 pikë rezultatin e saj në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, sipas organizatës Transparency International, duke reflektuar ndikimin konkret të punës së SPAK në perceptimin ndërkombëtar për integritetin institucional,” deklaroi Dumani.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se “SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar. Në këtë kontekst, është forcuar Sektori i Hetuesve Financiarë nëpërmjet ngritjes së kapaciteteve njerëzore kryesisht në hetimet financiare dhe pasurore me veprime komplekse brenda dhe jashtë vendit ku përfshihen edhe veprimet me kriptovaluta. Gjatë vitit 2024, me asistencën e ekspertëve ndërkombëtarë është finalizuar nxjerrja e një udhëzimi të përgjithshëm për masat administrative dhe procedurale për kryerjen e hetimit financiar dhe pasuror në SPAK. Ndërkohë që për pasuritë e konfiskuara kjo vlerë arrin në shumën rreth 36,7 milionë euro. Kështu, vlera e pasurive të sekuestruara zë rreth 43,8% të vlerës totale, ndërsa pasuritë e konfiskuara zënë rreth 56,2% të vlerës totale. Krahasuar gjithashtu me vitin 2023, vihet re një rritje në masën rreth 59,7% e vlerës totale të pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara (rreth 65,5 milion euro në vitin 2024 kundrejt rreth 41 milion euro në vitin 2023).”

Ai bëri të ditur se SPAK ka hetuar 33 ish-zyrtarë të lartë, nga të cilët 19 janë dërguar në gjykim dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke reflektuar angazhimin e institucionit për ndjekjen penale të korrupsionit në nivelet më të larta të administratës.

Altin Dumani gjatë fjalës së tij tha se Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) “ka vlerësuar punën e SPAK-ut”.

Po ashtu ai, theksoi indeksi i perceptimit të korrupsionit është përmirësuar në Shqipëri. “Në Indeksin Global të Korrupsionit për vitin 2024, Shqipëria vlerësohet me 42 pikë, duke e përmirësuar indeksin e perceptimit të korrupsionit me 5 pikë në raport me një vit më parë. Transparency International ka njohur rolin e SPAK në rritjen e besimit të publikut. SPAK i ka dhënë një rëndësi të veçantë hetimit pasuror dhe financiar.”, ka deklaruar Dumani gjatë fjalës së tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme