Ambasada britanike takim me Dumanin, Çelën e Celibashin: Mbështesim strategjinë për hetimin e krimeve zgjedhore

Politikë | 2 vite më parë

Ambasada Britanike në Tiranë ka zhvilluar një takim me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, Prokurorin e Përgjithshëm, Olsian Çela, dhe Komisionerin Publik të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të diskutuar strategjinë për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore, të publikuar për vitin 2025.

Ky takim ka shërbyer për të informuar ambasadorin mbi përpjekjet e institucioneve shqiptare për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm dhe të sigurt. Diskutimi është fokusuar në strategjinë për zbutjen e rreziqeve të mundshme në procesin zgjedhor të ardhshëm.

“Sesioni informues mbuloi qasjet kolektive dhe individuale të institucioneve për hetimin e shkeljeve zgjedhore në mjedisin aktual operativ, duke përfshirë strategjinë për zbutjen e rreziqeve të mundshme në procesin e ardhshëm zgjedhor”, shkruan ambasada britanike në rrjetet sociale.

Ambasada britanike shkruan se strategjia për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore më 11 maj është mbështetur nga ndërkombëtarët, ndërsa shton se bashkëpunimi ndërinstitucional përcakton qarte qëllimin dhe rolin e secilit prej tyre.

Ambasada ka theksuar rëndësinë e angazhimit të Shqipërisë për të siguruar zgjedhje të drejta dhe transparente, duke u shprehur se mbështet përpjekjet e vendit për të parandaluar çdo tentativë për manipulim të procesit zgjedhor.

“Marrëveshja e re ndërmjet institucioneve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mirëprit nga komuniteti ndërkombëtar si një hap i rëndësishëm i radhës në sigurimin e qartësisë së qëllimit për secilin institucion. Ambasada Britanike mirëpret angazhimin e Shqipërisë për të siguruar që zgjedhjet e 11 majit të jenë transparente, të drejta dhe të sigurta”, shkruan ambasada.

KQZ, SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme nënshkruan një protokoll që synon garantimin e integritetit të procesit zgjedhor më 11 maj dhe forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve për të siguruar një shkëmbim të shpejtë dhe efikas të informacionit mes institucioneve përgjegjëse për ndjekjen e veprave penale zgjedhore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme