Ambasadori i OSBE takon drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme: Mbështetje e plotë për SPAK

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, u takua sot me Klodjan Braho, pas zgjedhjes të tij si drejtues i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Ambasadori Tarran e përgëzoi Brahon për zgjedhjen në detyrë dhe i uroi suksese në marrjen e këtij roli të rëndësishëm dhe sfidues. Ambasadori Tarran ripohoi mbështetjen e fortë të Prezencës së OSBE-së për SPAK-un dhe rolin e tij kyç në procesin e reformës në drejtësi në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e këtij institucioni në forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjen e besimit të publikut tek institucionet demokratike të Shqipërisë.
Gjatë takimit, Ambasadori Tarran dhe Braho diskutuan bashkëpunimin aktual dhe të ardhshëm ndërmjet Prezencës së OSBE-së dhe SPAK-ut, përfshirë mbështetjen përmes veprimtarive të rritjes së kapaciteteve, këshillimit për politika dhe shkëmbimit të praktikave më të mira ndërkombëtare.
Kryetari i Prezencës ritheksoi angazhimin e vijueshëm të Prezencës së OSBE-së për të mbështetur institucionet e drejtësisë në Shqipëri dhe mirëpriti pikëpamjet e kreut të ri të SPAK mbi mënyrat se si bashkëpunimi mund të forcohet më tej për të adresuar në mënyrë efektive korrupsionin dhe krimin e organizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




