Analisti Zogaj për situatën në Kosovë: Dështimi për formimin e Qeverisë është lajm i keq që nuk e nderon vendin
Situata politike në Kosovë, e karakterizuar nga dështimi për formimin e qeverisë, si dhe spekulimet mbi zgjedhje të parakohshme parlamentare, ka qenë në qendër të diskutimit në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e Alba Alishanit.
Analisti Preç Zogaj e cilësoi këtë dështim si një zhvillim negativ.
“Është një lajm i keq dështimi për të formuar qeverinë që nuk e nderon Kosovën,” u shpreh Zogaj, duke shtuar se një shtet i ri si Kosova ka nevojë urgjente për konsolidim dhe njohje ndërkombëtare.
Ai theksoi se, pavarësisht se fragmentarizmi i votës ekziston në disa vende evropiane, lidershipi duhet të tregojë vetëdije për të gjetur një zgjidhje.
“E kanë marrë në mënyrë të papërgjegjshme këtë situatë,” vlerësoi ai.
Konflikti i Kurtit me faktorin ndërkombëtar
Zogaj u shpreh se kryetari aktual, Albin Kurti, ka dështuar të marrë rolin e duhur për të nxjerrë vendin nga kriza. Analisti theksoi se situata aktuale e vë Kurtin në vështirësi të madhe edhe me partnerët ndërkombëtarë.
“Nuk kam parë lëvizje për zgjidhje. Me këtë skenar që luhet në Kosovë ai është në vështirësi edhe me faktorin ndërkombëtar, ku duket se nuk duan të vijojnë me Kurtin,” argumentoi Zogaj.
Ai e cilësoi si “të paimagjinueshme” që një shtet i çliruar nga partnerët perëndimorë të ketë konflikte me SHBA-në dhe BE-në.
Sipas Zogajt, po të ishte në pozita të mira me ndërkombëtarët, një parti tjetër do të kishte pranuar të futej në qeveri, duke lënë të nënkuptohet ndikimi i tyre në dinamikat politike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




