Ancelotti për shortin e Botërorit: Brazili duhet të mundë patjetër Marokun që në start

Grup i vështirë, ku është thelbësore ta nisësh mirë, duke fituar kundër Marokut. Carlo Ancelotti i sheh të vështirë kundërshtarët e Brazilit, pas hedhjes së shortit të grupeve të Botërorit 2026. Përveç Marokut, Seleçao ka në grup edhe Skocinë e Haitin.
“Maroku ka bërë shumë mirë në Botërorin e fundit, – ka theksuar Ancelotti, duke iu referuar “Qatar 2022”. – Në atë kompeticion Maroku shkoi deri në gjysmëfinale, kurse Brazili u eliminua në çerekfinale”.

Trajneri italian, duke folur për kanalin brazilian “Sportv”, shtoi: “Skocia ka një skuadër shumë të fortë, do të jetë e vështirë. Duhet të dalim të parët në grup. Mbi të gjitha, duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e parë, që do të jetë shumë e rëndësishme. E para është kundër Marokut, më e vështira. Duhet të jemi besimplotë”.
Brazili do të luajë me Francën dhe Kroacinë dy miqësore që do të zhvillohen në SHBA, në muajin mars. Për çështjen e rikthimit të Neymar, i cili mungon te Brazili prej dy vitesh, Ancelotti ka lënë një spirale, duke shpjeguar se do ta përzgjedhë skuadrën e Botërorit në maj. “Nëse Neymar meriton të jetë në Botëror dhe nëse është në formë më të mirë se dikush tjetër, do të luajë”, – tha trajneri italian.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




