Anglia pranë eliminimit të Hepatitit C deri në 2030
Anglia është në rrugën e duhur për t’u bërë një nga vendet e para në botë që eliminon Hepatitin C, një virus i rrezikshëm që dëmton mëlçinë.
Shërbimi Shëndetësor Kombëtar, NHS England, thotë se objektivi për trajtimin e 80 për qind të rasteve të njohura është arritur tashmë. Që nga viti 2015, më shumë se 100 mijë persona janë diagnostikuar dhe trajtuar për këtë sëmundje. Rezultatet shihen edhe te numri i viktimave, pasi vdekjet nga hepatiti C kanë rënë me 36 për qind gjatë dekadës së fundit.
Anglia është kështu shumë pranë objektivit për eliminimin e virusit deri në vitin 2030. Trajtimi është bërë më i thjeshtë, pasi tabletat antivirale për vetëm 8 deri në 12 javë mund të kurojnë më shumë se 95 për qind të rasteve. Për të zbuluar pacientët që nuk e dinin se ishin të infektuar, janë shtuar analizat e gjakut, testimet gjatë regjistrimit te mjeku i familjes dhe testet falas që mund të kryhen në shtëpi.
Hepatiti C përhapet përmes kontaktit me gjak të infektuar, përfshirë përdorimin e përbashkët të gjilpërave, ndërsa gjaku i dhuruar kontrollohet tashmë për virusin. Sëmundja shpesh quhet “e heshtur”, pasi mund të mos japë simptoma për vite me radhë, por pa trajtim mund të shkaktojë dëmtime të rënda të mëlçisë.
Për NHS England, rezultatet e arritura deri tani tregojnë se Anglia është pranë objektivit për eliminimin e hepatitit C, duke e bërë atë një nga vendet që synojnë ta mposhtin këtë virus deri në vitin 2030.
Gazetar: A.Mata
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




