Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për Jurgis Çyrbjan dhe dy të pandehur të tjerë

Gjykata e Posaçme e Apelit (GJKKO) ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dhe dy të pandehur të tjerë, duke rrëzuar ankimet e tyre.
Vendimi u mor nga trupi gjykues i përbërë nga Daniela Shirka (kryesuese), Florjan Kalaja dhe Tereza Merkaj, në lidhje me çështjen penale nr. 22, të regjistruar më 9 shkurt 2026.
Në përfundim të shqyrtimit, Apeli vendosi të konfirmojë vendimin nr. 68, datë 3 nëntor 2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ndaj Jurgis Çyrbja, si dhe të pandehurve të tjerë me iniciale A.H dhe A.M.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesues), Florjan Kalaja (anëtare) dhe Tereza Merkaj (anëtare), sot më 24.04.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 22 akti, datë 09.02.2026 regjistrimi, mbi ankimet e të pandehurve J.Ç, A.H, dhe A.M, ndaj vendimit nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 68, datë 03.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
2. Shpenzimet e gjykimit në apel i ngarkohen solidarisht të pandehurve.
U shpall në Tiranë, më datë 09.04.2026”, thuhet në njoftim.
Disa muaj më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë tre të pandehur: Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri. Ata akuzohen për vepra të rënda penale, duke përfshirë zbulimin e sekretit shtetëror, përkrahjen e autorit të krimit dhe korrupsionin në zgjedhje. Ky zhvillim vjen pas një hetimi të thelluar, i cili ka përfshirë edhe analiza të komunikimeve në platformat e enkriptuara “SkyEcc” dhe “Matrix”.
Sipas njoftimit të SPAK, Jurgis Çyrbja, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, akuzohet për “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit” në disa episode, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Ahmet Masha akuzohet për “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”, kryer në bashkëpunim, dhe “Përkrahje e autorit të krimit”.
Altin Hajri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, akuzohet për “Korrupsion pasiv në zgjedhje” dhe “Tregim i sekretit shtetëror nga shtetasit”. Hajri ishte gjithashtu përdorues i platformës së enkriptuar “Matrix”.
Nga hetimet ka rezultuar se Jurgis Çyrbja, Ahmet Masha dhe Altin Hajri, së bashku me bashkëpunëtorë të tjerë, kanë koordinuar aktivitete kriminale përmes platformave të enkriptuara. Akuzat theksojnë se në tetë episode të ndryshme, nga maji 2020 deri në mars 2021, të pandehurit kanë siguruar dhe shpërndarë informacione sekrete nga sistemi “TIMS” dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Këto informacione përfshinin të dhëna për persona të shpallur në kërkim dhe planet operacionale të policisë në të gjithë territorin, përfshirë Qarkun e Durrësit, për kapjen e kriminelëve.
Informacionet e siguruara u janë transmetuar personave të shpallur në kërkim, duke u shërbyer atyre si një mjet për t’i shpëtuar kapjes dhe arrestimit, çka konsumon elementët e veprave penale të “Tregimit të sekretit shtetëror” dhe “Përkrahjes së autorit të krimit”, shpesh të kryera në bashkëpunim.
SPAK thekson se Jurgis Çyrbja, gjatë periudhës së hetimit, ka qenë deputet i Kuvendit (në legjislaturat 2017-2021 dhe 2021-2025, deri në dorëheqjen e tij më 9 tetor 2024). Ai ka pasur marrëdhënie të ngushtë miqësore me Altin Hajrin.
Hetimet kanë zbuluar se Çyrbja, nëpërmjet funksionit të tij si deputet, i ka ofruar dhe premtuar Hajrit ndikim tek agjencitë e zbatimit të ligjit (polici dhe prokurori) në këmbim të mbështetjes elektorale. Ky veprim përbën “Korrupsion aktiv në zgjedhje”. Nga ana tjetër, Altin Hajri, duke pranuar këto favore dhe duke u angazhuar për të siguruar vota, ka konsumuar elementët e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




