Arabia Saudite në alarm, rrëzohet droni Huthi pranë Mekës

Arabia Saudite ka njoftuar se ka rrëzuar një dron të rebelëve Huthi në periferi të Mekës, qytetit më të shenjtë të Islamit. Incidenti ka shkaktuar reagime të menjëhershme në rajon, ndërsa Huthit kanë mohuar se kanë shënjestruar Mekën. Sipas Turki al-Maliki, zëdhënës i Forcave të Koalicionit të udhëhequra nga Arabia Saudite, bëhet fjalë për herën e parë në pothuajse një dekadë që Huthit akuzohen se kanë shënjestruar Mekën. Në vitin 2017, Arabia Saudite deklaroi se kishte interceptuar një raketë balistike të lëshuar nga Huthit.
Zyrtarët e grupit rebel jemenas e mohuan shpejt se Mekka ishte objektivi i sulmit. Meka ka një rëndësi të veçantë për myslimanët në mbarë botën. Qyteti konsiderohet vendlindja e Profetit Muhamed dhe çdo vit miliona besimtarë udhëtojnë drejt tij për pelegrinazh.
Al-Maliki e dënoi incidentin, duke e akuzuar grupin Huthi se synon të provokojë ndjenjat e miliona myslimanëve. Ai tha se Arabia Saudite do të ndërmarrë “masat e nevojshme dhe parandaluese” ndaj grupit.
Edhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), e përbërë nga 57 shtete anëtare, e dënoi incidentin. Organizata deklaroi se përpjekjet për të goditur vendet e shenjta dhe xhamitë shkelin shenjtërinë e tyre dhe shkaktojnë frikë te civilët. Incidenti vjen në një periudhë përshkallëzimi të tensioneve mes Huthive dhe Arabisë Saudite. Sipas autoriteteve saudite, grupi ka lëshuar ditët e fundit raketa balistike dhe dronë drejt disa qyteteve të mbretërisë, përfshirë Khamis Mushait, Abha dhe Taif. Nga këto sulme janë raportuar 13 civilë të plagosur.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




