Arlind Qori në RTSH 24: Pas zgjedhjeve, PS–PD mund të zhdukin institucionet e reja të drejtësisë

Politikë | 2 vite më parë

Zgjedhjet parlamentare në Shqipëri janë më pak se 40 ditë larg dhe mes partive të reja ka shpresa për ndryshim, pasi simotrat e vjetra “janë ezauruar politikisht”.

Kështu u shpreh Arlind Qori, kryetari i Lëvizjes Bashkë, gjatë një intervistë në RTSH 24. Sipas tij, arsye të tjera që do i dëmtojnë rivalët e tij kryesorë në garë, janë legjitimiteti dhe morali politik.

“Çdo gjëje i vjen fundi. Fatmirësisht edhe të keqes i vjen fundi. 35 vjet janë shumë. Partitë e vjetra i kanë ezauruar forcat e tyre, kanë humbur dimensionin e seriozitetit dhe të raportit organik me shoqërinë. Sot partitë e vjetra, PS-ja dhe PD-ja, janë tërësisht ilegjitime, në kuptimin që asnjë njeri që takon në rrugë nuk të thotë që unë votoj me bindje për to. Unë mendoj që kësaj radhe kanë për të qenë shumë herë më pak se kurdoherë tjetër, sepse kriza e legjitimitetit politik dhe moral të këtyre partive sa vjen e theksohet,” tha z. Qori.

Lëvizja Bashkë ka një program politik të majtë dhe si përparësi, përfshirjen e shoqërisë në zgjidhjen e problematikave.

“Ne duam ta transformojmë shtetin në një shtet zhvillimor, që mëkëmb shëndetësinë, arsimin, kujdesin social, vendos minimumin jetik. Gjithashtu jemi për një shtet të së drejtës, që me seriozitet lufton korrupsionin, evazionin fiskal, informalitetin në punë e shumëçka tjetër. Mirëpo asgjë nga këto nuk është e realizueshme nëse shoqëria nuk merr pjesë. Për ne politika nuk është thjesht komandë nga lart-poshtë, por është përfshirje, pjesëmarrje në jetën politike, sociale, ekonomike, sepse pa përfshirjen e qytetarëve edhe idetë më të mira do të mbesin në baltovinën e burokratizmit politik dhe të neglizhencës, siç jemi mësuar.

Partitë e tjera kanë qenë gjithmonë të heshtura, të mekura kur ka qenë puna për të folur për oligarkinë ekonomike, për të denoncuar kapjen e shtetit nga oligarkia ekonomike. Ne jemi e vetmja parti që shtrojmë për zgjidhje çështjen e të drejtave në punë. Punëtorët janë me qindra mijëra në Shqipëri dhe janë totalisht të braktisur nga shteti. Ligji më pak i zbatuar sot në Shqipëri është Kodi i Punës,” tha z. Qori.

Për kryetarin e Lëvizjes Bashkë, këto zgjedhje të përgjithshme kanë nxjerrë edhe një herë në pah “hipokrizinë” mes kundërshtarëve të tij të mëdhenj dhe paqartësinë programore të partive të reja.

Sipas z. Qori, shtylla që mund të tronditet pas garës politike do të jetë ajo e drejtësisë.

“Mua më çudit fakti që në fletën e votimit ka për të pasur 9 parti që deklarohen se janë të djathta, 1 parti si Partia Socialiste që deklarohet përtej së majtës dhe së djathtës dhe 1 parti që deklarohet e së majtës, që është Lëvizja Bashkë. Mua vërtet më çudit pse ato 9 partitë e tjera nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të hyrë në një koalicion.

Ndarja e sotme qeveri-opozitë është një ndarje fiktive, sepse një pjesë e mirë e partive opozitare hera-herës bashkëqeverisin me Partinë Socialiste, sidomos kur vjen puna te ligjet e rëndësishme. Ka një probabilitet shumë të lartë që pas zgjedhjeve, PD dhe PS, nëse do të kenë së bashku një shumicë kushtetuese, do të ndryshojnë ligjet e reformës në drejtësi, duke zhdukur institucionet e reja të drejtësisë,” u shpreh z. Qori.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme