Arratisja e Altin Ndocit, Zogaj në “Trialog”: Alarmante, mu duk sikur e lanë të ikë
Arratisja e bujshme e të dyshuarit si anëtar i bandës famëkeqe të “Çopjave” ka ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë e institucioneve ligjzbatuese në vend. Çështja u trajtua gjerësisht mbrëmjen e sotme në emisionin “Trialog” në RTSH, nën moderimin e gazetares Alba Alishani.
Analisti i njohur, Preç Zogaj, i ftuar në panel, nuk e fshehu habinë për mënyrën se si u realizua kjo arratisje, duke e cilësuar atë si “të pakuptueshme” për nga lehtësia. Sipas tij, ngjarja ekspozon një brishtësi të frikshme të sistemit të sigurisë.
“Nxori jashtë loje të gjithë sistemin e sigurisë me të cilin sigurohen persona të tillë. Më ka befasuar sa nuk thuhet lehtësia me të cilën ai iku. Mu duk sikur e kanë lënë të ikë,” deklaroi Zogaj me nota dyshimi.
Përveç dështimit të hallkave të sigurisë, Zogaj preku edhe një dimension tjetër të realitetit kriminal nëpër burgje: frikën e eksponentëve të krimit nga përplasjet mes bandave rivale.
“Duket sikur edhe këta të botës së krimit ndjehen më të sigurt në burg se sa të dalin jashtë, pasi u tremben grupeve rivale,” analizoi ai.
Për analistin, kjo ngjarje nuk është thjesht një incident i izoluar, por një “kambanë alarmi” për shtetin dhe organet e rendit, që tregon nevojën urgjente për rishikimin e protokolleve të sigurisë për personat me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




