Arsimin profesional në Shkodër – Kacneci: Më shumë interes nga vajzat e reja. Garanci për një të ardhme të sigurt
Arsimi profesional po fiton gjithnjë e më shumë terren në Shqipëri, veçanërisht në qytetin e Shkodrës, ku vajzat po e shohin këtë formim si një mundësi të sigurt për punësim dhe pavarësi ekonomike.
Ky trend është i dukshëm në shkollën profesionale “Ndre Mjeda”, ku numri i regjistrimeve nga vajzat është në rritje të vazhdueshme.
Në një intervistë për RTSH 24, mjeku veterinar dhe njëkohësisht mësues në këtë shkollë, Viçenco Kacneci, theksoi se degë si Veterinaria, Agronomia dhe Teknologjia Ushqimore po tërheqin gjithnjë e më shumë vajza, të cilat e shohin këtë rrugë si një mundësi të sigurt drejt punësimit dhe pavarësisë ekonomike.
“Teknologjia Ushqimore, Veterinaria por dhe Agronomia kanë pasur rritje të numrit të regjistrimit nga vajzat. Këto degë ofrojnë një treg pune pothuajse të sigurt sepse ka një mundësi të shtuar dhe kjo bën të mundur edhe zgjedhjen prej vajzave të cilat sa vijnë dhe interesohen dhe më tepër,” – u shpreh Kacneci.
Ai theksoi se promovimi në shkollat 9-vjeçare dhe ndryshimi i mendësisë se shkollat profesionale nuk janë vetëm për djemtë, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit nga vajzat.
“Kjo bëhet edhe falë promovimit në shkollat 9-vjeçare por dhe ndryshimit të mendësisë që shkollat profesionale nuk janë vetëm për djemtë. Për shkak edhe të tregut të punës që kërkon këto degë është bërë e mundur dhe ndërgjegjësimi i kësaj kategorie shoqërore që të regjistrohen në një nga degët që ofrohet në shkollën tonë,” – tha ai.
Kacneci vuri në dukje se prindërit po e kuptojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e një profesioni të mirë ndaj ai theksoi se “arsimi profesional në Shkodër po merr gjithnjë e më shumë vëmendje nga të rinjtë, jo vetëm për formimin profesional, por edhe për sigurinë që ofron në tregun e punës.”
“Pavarësisht degës që ata zgjedhin është një avantazh i madh për ne sepse çdo herë po drejtohet drejt profesioneve. Sigurisht dhe prindërit e kanë kuptuar se sa e rëndësishme është që të marrësh një profesion të mirë jo vetëm për ta ushtruar brenda vendit por dhe falë certifikatave që ofrohen në shkollën tonë ato njihen dhe jashtë vendit,” – përfundoi Kacneci.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




