“Trialog”/Artan Hoxha: Samiti i radhës i NATO-s pas Ankarasë do të mbahet në Shqipëri, mbetet për t’u vendosur koha

Aktualitet | 4 muaj më parë

Analisti Artan Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Trialog” në RTSH, deklaroi se vendimi për zhvillimin e samitit të ardhshëm të NATO-s në Shqipëri është rikonfirmuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte.

Sipas Hoxhës, vendimi i marrë në Hagë një vit më parë, që samitet e ardhshme të NATO-s do të zhvilloheshin fillimisht në Ankara dhe më pas në Shqipëri, vijon të mbetet në fuqi.

Analisti tha se diskutimi kryesor në mediat ndërkombëtare nuk ka qenë më vendi i samitit, por formati dhe koha e zhvillimit të takimeve të ardhshme të NATO-s.

“Ajo cka u konfirmua nga sekretari i NATO-s është që vendimi i marrë në Kopenhagen një vit më parë që samitet e radhës do të jenë njëri në Ankara dhe tjetri në Shqipëri u ri konfirmuar përsëri nga vet ai që ai vendim do të zbatohet. Samiti i radhës pas këtij të Ankarasë do të mbahet në Shqipëri, koha se kur tha do ta vendosim. Diskutimi më kryesor që unë kam ndjekur në mediat ndërkombëtare nuk ka qenë vendi në pikëpyetje por koha. Teza më kryesore ishte, nëse do të jenë samitet e NATO-s të përvitshme? Apo do të jenë më një periodicitet më të rrallë se vit për vit. Do vijojnë të përfaqësohen nga president dhe kryeministra apo do të zbresim në nivel të ministrave. Këto janë pikëpyetje që ende nuk kanë marrë përgjigje”, u shpreh Hoxha.

Hoxha shtoi se çështja e vendit ku do të mbahet samiti ka qenë një pasojë e diskutimeve më të gjera mbi të ardhmen e formatit të takimeve të Aleancës.

“Kam përshtypjen se teza e pikëpyetjes për vendin ishte pasojë eksternale e dy pikëpyetjeve të para. Periodiciteti dhe niveli i përfaqësimit. Rutte tha qartë që takimi i ardhshëm do të jetë në Shqipëri se kur nuk i dihet do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha analisti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme