Arti i guaskave në Sarandë, Anila Onjea prej 20 vitesh krijon aksesorë artizanalë
Artizania Anila Onjea prej 20 vitesh i kushtohet krijimit të punimeve të ndryshme artizanale, të cilat më pas i ekspozon dhe i shet në shëtitoren e Sarandës. Krijimet e saj të punuara me kujdes përfshijnë byzylykë, varëse dhe aksesorë të ndryshëm, ku elementët kryesorë janë guaskat dhe gurët natyralë. Punimet artizanale përgatiten nga Anila kryesisht gjatë periudhës së dimrit, ndërsa sezonin veror e pret me padurim për t’i prezantuar në shëtitore.
“Kemi 20 vite që merremi me këtë punë. Të gjitha i kemi punimet tona me guaska natyrale, gurë natyral. Gjatë gjithë dimrit ne i punojmë dhe gjatë sezonit të verës i tregtojmë”, tregon Onjea.
Anila tregon se puna e saj nuk është e vështirë, pasi gjithçka realizohet me dashuri dhe përkushtim. Ajo shprehet se gjatë sezonit veror kërkesat për punimet e saj janë të larta, veçanërisht për krijimet e momentit që përshtaten me shijet dhe interesin e turistëve.
“Për ne është një punë shumë e bukur, është një pasion. Më shumë interes ka për punimet që bëjmë në moment, ato vlerësohen edhe më tepër, sepse klienti ose turisti e zgjedh vetë guaskën dhe e punojmë sipas dëshirës së tij”, thekson ajo.
Punimet artizanale të Anilës janë një tjetër element që i shtojnë ngjyrë shëtitores së Sarandës, duke sjellë më pranë vizitorëve krijime unike të punuara me dorë dhe frymë tradicionale.
Gazetare: B. Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




