Atentati pranë rrethrrotullimit të Rinasit, Proda: Çështja në hetim, jemi në proces e sipër

Aktualitet | 12 muaj më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda në fjalën e tij në Komisionin për Sigurinë dhe Çështjet e Brendshme është pyetur mbi atentatin që ndodhi në rrethrrotullimin pranë Rinasit gjashtë ditë më parë.

Proda deklaroi se çështja është nën hetim dhe se Policia e Shtetit është në proces e sipër.

“Në lidhje me atentatin, ka vend për të analizuar. Jemi në proces e sipër, çështja është nën hetim. Europol, dhe Interpol, mentorët më të mëdhenj të policisë shqiptare. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer me Europol dhe Interpol. Janë 9 të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe”, deklaroi Proda duke i dhënë përgjigje akuzave të artikuluara më herët nga deputeti demokrat Klevis Balliu. Ky i fundit hodhi akuza kundrejt Policisë së Shtetit ndërsa e cilësoi të pajustifikueshme arrestimin e autorëve pak pas atentatit.

“Akti i fundit i një atentati mafioz në një zonë më nevragjike të vendit që është Aeroporti. Për një orë e gjysmë nuk arriti dot policia të kapte në flagrancë kriminelët kur po vinte dhe një delegacion i shoqëruar nga policia ku u shkëmbye me vrasësit 2 minuta pas atentatit. Ai atentat s’mund të bëhej kurrë pa Policinë e Shtetit. Të rrish një orë e të mos arrish të kapësh dot autorët, është e paimagjinueshme”, deklaroi Balliu.

Një ngjarje e rëndë kriminale ndodhi në rrethrrotullimin e Rinasit në Tiranë më 11 nëntor, ku u qëllua për vdekje Gilmando Dani (i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit), ndërsa u plagos Muçi Shaljani (Sheqeri). Ky i fundit ndërroi mëngjesin e 15 nëntorit në spitalin e Traumës ku ishte vendosur në intubim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme