“Aventura me Ketin” programi më i ri në RTSH, 9 episode vijnë çdo të diel në ekran
Me dhe për fëmijët, një program i ri që vjen në ekranin e RTSH-së në formatin e një reality, me 9 episode dhe që do të shoqërojnë të dielat e këtij sezoni veror.
Ndërsa ka lënë studion, moderatorja e njohur Ketrin Gjoçaj sjell një mënyrë thellësisht orgjinale komunikimi dhe qasje të fëmijëve, veçanërisht me natyrën.
“Janë si filma të vegjël në terren, në ambiente të ndryshme ku atyre u jepet mundësia të lidhen me natyrën, me kafshët, me bimët, të lidhen me njëri-tjetrin, të socializohen. Nuk ka celular, fëmijët kanë qejf të bisedojnë, të tregojnë aventurat e tyre, të ndjekin traditat tona, gjithçka të bukur për të cilën ata kanë dëshirë të dinë vetë dhe t’ua tregojnë bashkëmoshatarëve të tyre nëpërmjet ekranit”, tha Gjoçaj.
Një arratisje e bukur për ata që e përjetojnë dhe për teleshikuesit që do ta shohin. Ndërsa moderatorja Gjoçaj zbulon disa nga prapaskenat.
“Kush ka fëmijë vetë e kupton situatën. Kanë atë botën e tyre të cilën duan ta shpërthejnë menjëherë sapo ua jep rastin dhe mundësinë, në hapësira ku ata lëshohen vërtet me shumë dëshirë. Për shembull, ishim në një fermë ku ata as më dëgjuan fare. Sa u thashë unë “hajdeni shpejt se do bëjmë këtë”, ikën të gjithë – dikush tek kafshët, dikush tek bimët që ishin mbjellë. Këta fëmijë që vijnë në këtë program kënaqen shumë. Sikur dhe kaq mjafton për t’u dhënë një kënaqësi të madhe. Ua kemi dhënë ne, Televizioni Publik Shqiptar”, thekson Gjoçaj.
Si një libër i hapur dhe tërheqës, ky serial premton të mbajë të mbërthyer pas ekranit jo vetëm fëmijët, por edhe prindërit që kërkojnë më shumë kohë cilësore me fëmijët e tyre.
Gazetare: E. Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




