Baba Mondi nga Kryegjyshata e Bektashinjve:Ditë për të reflektuar mbi virtytet, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit

Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi) ka mbajtur një fjalë ditën e sotme nga ambientet e Kryegjyshatës, për ditën e Sulltan Nevruzit.
Në fjalën e tij, Kryegjyshi theksoi rëndësinë e reflektimit mbi virtytet që udhëheqin komunitetin, forcimin e lidhjes me Zotin dhe kultivimin e dashurisë dhe respektit ndaj njëri-tjetrit.
Ai theksoi se ky vit ka një domethënie të veçantë, pasi përkon me 35-vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi, një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës shpirtërore pas periudhave të vështira.
“Të nderuar klerik bektashi, përfaqësues dhe përfaqësi diplomatike të vendit tonë. Sot jemi mbledhur për të kremtuar Sulltan Nevruzin, një festë e shenjtë që simbolizon fillimin e ri, dritën shpirtërorë dhe unitetin e bektashinjve. Kjo ditë është një mundësi për të reflektuar mbi virtytet që na udhëheqin. Për të forcuar lidhjen tonë me Zotin, për të kultivuar dashurinë dhe respektin ndaj njëri-tjetrit. Ky vit ka një domethënie të veçantë për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane, pasi kjo ditë përkon me 35 vjetorin e rihapjes së Kryegjyshatës dhe lirisë së besimit Bektashi.
Një moment historik që shënon ringjalljen e besimit dhe traditës sonë shpirtërore pas periudhave të vështira. Kjo ngjarje është dëshmi e qëndrueshmërisë dhe punës së përbashkët të brezave, për të ruajtur identitetin dhe vlerat tona. Siç thoshte Haxhi Bektash Veliu “ai që nuk e sheh veten në tjetrin, nuk e sheh Zotin në veten e tij”, u shpreh Kryegjyshi Botëror i bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



