Bajden zgjat “emergjencën” për Ballkanin Perëndimor: Korrupsioni kërcënon sigurinë tonë

Rajon | 2 vite më parë

Presidenti amerikan Xho Bajden (Joe. Biden) ka vendosur të vazhdojë ta konsiderojë si “emergjencë kombëtare” situatën me korrupsionin në Ballkanin Perëndimor.

Urdhri ekzekutiv i 26 qershorit 2001, i firmosur nga presidenti Xhorxh Bush, kishte në fokus personat që për kohën vlerësoheshin se po destabilizonin rajonin e Ballkanit, kryesisht nëpërmjet nxitjes së konflikteve ndërshtetërore, si në Kosovë, Maqedoni apo Bosnjë-Hercegovinë.

Në një urdhër të përditësuar 20 vite më vonë, më 8 qershor 2021 – urdhri ekzekutiv nr. 14033 – presidenti Bajden e plotësoi deklaratën origjinale duke shtuar edhe elementin e korrupsionit si një “rrezik i jashtëzakonshëm për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.

“Situata në territorin e ish-Republikës Federale të Jugosllavisë dhe në Republikën e Shqipërisë (Ballkani Perëndimor), gjatë dy dekadave të fundit, përfshirë edhe cenimi i marrëveshjeve pas luftës dhe i institucioneve pas shpërbërjes së ish-Republikës Federale Socialiste të Jugosllavisë, si edhe korrupsioni i përhapur brenda qeverive të ndryshme dhe institucioneve në Ballkanin Perëndimor, pengon progresin drejt qeverisjes efektive dhe demokratike dhe integrimin e plotë në institucionet transatlantike, prandaj përbën një kërcënim të madh dhe të jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

… Unë do e vazhdoj me 1 vit emergjencën kombëtare të shpallur me Urdhrin Ekzekutiv 13219 në lidhje me Ballkanin Perëndimor,” thuhet në njoftimin e firmosur një ditë më parë (13 qershor) nga presidenti Bajden.

Aneksin i dokumentit 13219 në vitin 2001 përmbante edhe emrat e personave në listën e zezë të SHBA-së për përfshirjen në aktivitetet. Ndërkohë, si i “padëshiruar” për shkak të korrupsionit është shpallur më herët edhe ish-kryeministri, Sali Berisha. /Shtëpia e Bardhë

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme