Bale, jeta pas futbollit: Ashtu si të tjerët, edhe unë kam frikë nga falimentimi

Jeta e një futbollisti pas daljes në pension është më sfiduese nga ç’mund ta imagjinoni. Gjithnjë e më shumë ish-atletë po rrëfejnë vështirësitë që hasën pasi varën këpucët në gozhdë: nga depresioni te vështirësitë financiare që mund të hasin nëse nuk janë në gjendje të përshtatin stilin e tyre të jetesës (papritmas ndalon së fituari miliona) ose të menaxhojnë pasurinë që kanë grumbulluar gjatë viteve.
Gareth Bale foli gjithashtu për këto çështje. Ish-kapiteni i Uellsit rrëfeu frikën e tij pas daljes në pension, e cila në rastin e tij ndodhi dy vjet më parë në moshën 34-vjeçare. “Gjithmonë ka qenë diçka që më ka frikësuar”, tha uellsiani në një intervistë me Front Office Sports. “Lexon për atletët që i japin fund karrierës së tyre dhe përfundojnë të falimentuar. Ata nuk dinë si t’i menaxhojnë paratë e tyre, shumë prej tyre jetojnë një jetë luksi, të cilën unë jam përpjekur ta shmang. Gjithmonë kam menduar se si do të ishte jeta ime pas futbollit”.
Pas transferimit të tij nga Tottenham te Real Madrid, Bale u bë një nga futbollistët më të paguar në botë, duke fituar më shumë se 170 milionë euro gjatë kohës së tij në Santiago Bernabeu, përpara se të luante në MLS dhe të tërhiqej me ekipin kombëtar pas Kupës së Botës 2022. “Kur mbaron, nuk paguhesh më dhe duhet të rindërtosh jetën tënde”, tha ai. “Gjithmonë jam përpjekur të mendoj për të ardhmen. Fillimisht, kisha idenë të investoja paratë e mia në gjëra të ndryshme. Nëse njëra prej tyre dështonte, nuk do të humbisja gjithçka”.
Që kur doli në pension, Bale është përfshirë në sipërmarrje të ndryshme financiare. Kohët e fundit ai filloi negociatat me Cardiff City, klubin e qytetit të tij të lindjes, dhe e konfirmoi këtë në një intervistë: “Është një klub që ka qenë në rënie për disa vite, por ka potencial të madh, duke qenë i vetmi në qytet”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




