Ballkani Perëndimor në axhendën e takimit të ardhshëm të Këshillit Evropian

Europë | 1 vit më parë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian do të kenë një axhendë tepër të ngarkuar në takimin e ardhshëm, që pritet të mbahet më 26-27 qershor, ku temat kryesore do të jenë lufta në Ukrainë, situata e tensionuar në Lindjen e Mesme dhe zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

Kështu u shpreh Ignacy Niemczycki, përfaqësues i Presidencës polake, gjatë një deklarate për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC) në Luksemburg- shkruan europeanwesternbalkans.

GAC përfshin ministrat e punëve të jashtme dhe të çështjeve evropiane nga vendet anëtare, dhe ka për qëllim koordinimin e politikave ndërsektoriale dhe përgatitjen e mbledhjeve të Këshillit Evropian.

Niemczycki, i cili është edhe Sekretar Shteti në Kancelarinë e Kryeministrit të Polonisë, theksoi se çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë, menaxhimi i migracionit dhe forcimi i konkurrueshmërisë do të jenë në qendër të diskutimeve.

Ai theksoi gjithashtu se një nga përfundimet kryesore të Presidencës polake është domosdoshmëria që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.

Një tjetër temë e rëndësishme e diskutimit ishte gjendja e demokracisë në BE, përfshirë respektimin e shtetit të së drejtës dhe nevojën për të vazhduar presionin ndaj Rusisë, ndërkohë që synohet të thjeshtohen rregullat për bizneset evropiane për të rritur konkurrueshmërinë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme