Balluku: Detyrën e shoh si mision për të ndërtuar themelet e shtetit që u ngrit nga tranzicioni

Pas ceremonisë së betimit në Presidencë, Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka ndarë një mesazh reflektues dhe mirënjohës për rrugëtimin e saj politik dhe angazhimin në qeverisje.
Në reagimin e saj, Balluku shpreh mirënjohje ndaj kryeministrit për besimin dhe mundësinë për të vijuar detyrën si pjesë e ekipit qeverisës, duke thënë se, “tashmë me 21 vjet angazhim në skuadrën e Kryeministrit Edi Rama për të kontribuar në rrugëtimin sfidues të Shqipërisë drejt Europës.”
“Jo rrallë kthehem pas për të kujtuar gjithçka është bërë, jo rrallë mendoj se sa shumë sprova e sfida kemi kaluar në këto dekada, jo rrallë më kujtohen ngjarjet që ndryshuan thelbësisht qasjen e Partisë Socialiste dhe vizionin politik për vendin, por ajo çka ka mbetur e pandryshuar, është forca lëvizëse, pasioni dhe vizioni i Edi Ramës, për të ndryshuar këtë vend në çdo nivel, e për të rendur më shpejt drejt Europës dhe së ardhmes”, shkruan Balluku.
Ajo e cilëson angazhimin e saj jo si një punë të zakonshme, por si një mision për të kontribuar në ndërtimin e një shteti modern.
“Nuk e kam parë kurrë ftohtë si një punë detyrën time, por si mision për të vënë qoftë një gur në themelet e një shteti që lulëzoi nga gërmadhat e tranzicionit dhe mori formën e talentit dhe dëshirës së Edi Ramës për të na bërë krenar për vendin e shqipeve.”
Në përfundim, Balluku i uroi suksese të gjithë kolegëve të saj të cilët u betuan sot në Presidencë si pjesë e ekipit qeverisës me shpresën siç u shpreh ajo që secili prej tyre të kontribuojë me më të mirën e tij në këtë rrugëtim sfidues drejt Europës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




