“Balluku”/ Rama: Që të ngremë kartonët për të votuar arrestimin duhet të kemi 1 arsye. Dosja prej 16 mijë faqesh, dobësi e madhe e kërkesës

Politikë | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se që mazhoranca të ngrejë kartonin për të votuar pro kërkesës së SPAK për arrestimin e deputetes Belinda Balluku do duhej që të paktën të kishte një arsye të fortë. Sipas tij, që nga reforma në drejtësi e deri më sot, dy kanë qenë rastet kur mazhoranca ka votuar pro kërkesës së prokurorisë për arrestime, një që lidhej me shkelje të përsëritur të vendimit të gjykatës dhe tjetra që lidhej me korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie.

Por, sipas Ramës, në rastin e Ballukut, materiali prej 16 mijë faqesh I prokurorisë nuk ka asnjë akuzë konkrete.

“Që ne të ngremë dorën për të votuar kërkesën e arrestit për Belinda Ballukun me kartonin që na e kanë dhënë socialistët e mbështetësit tanë, na duhet të kemi të paktën një nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë. Nuk po them të kemi skemë krimi, apo qoftë dhe një provë bindëse për tentativë arratisje apo prishje të provave, por po them të paktën një nga arsyet që kemi pasur kur e kemi bërë këtë më parë. Në kujtesën time qysh prej reformës në drejtësi, ne kemi votuar për 2 arreste, një për shkelje të përsëritur të vendimit të gjykatës, vendim automatik pa nevojë për diskutim, tjetri për plot të zeza, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie, që na krijuan bindjen që kërkesa e prokurorit është e përligjur, në këtë rast nuk kemi asgjë nga këto”, tha ai.

Kryeministri shtoi  se dhe fakti që dosja përbëhet nga 16 mijë faqe, tregon dobësinë e madhe që ka kërkesa.

“Unë kam dhe një problem tjetër: materiali shumë voluminoz që shoqëron kërkesën, është tregues i dobësisë së madhe që ka kërkesa. Ato 16 mijë faqe, janë një korpo e bukur propagandistike që janë 16 mijë faqe me vjedhje. Në fakt ato janë studime, projektime, prokurime, vendime, urdhëresa, arkiva e ministrisë gjatë periudhës së drejtimit të Belinda ballukut, e marrë me kamion për tu future në dosje”, u shpreh ai.

Rama theksoi se Belinda Balluku po dënohet pa gjyq, dhe pa iu dhënë e drejta për mbrojtje në gjykatë.

Sipas tij, rasti në fjalë nuk është i pari, por as më i vështirë, duke rikthyer në vëmendje arrestimin e Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

“E kanë dënuar pa gjyq, pa i dhënë të drejtën për t’u mbrojtur në gjykatë për çfarë akuzohet. Duan ta shohin në burg Belinda Ballukun, pa pritur që të hapet dera e sallës së gjyqit.

Rasti që po diskutojmë është i tillë. Fatkeqësisht nuk është rasti i parë, por fatmirësisht nuk është as rasti më i vështirë. Ndryshe nga sa ka ndodhur me kryetarin e bashkisë së Tiranës, prezumimi i pafajësisë të të cilit nuk ka ekzistuar as përpara se ai të merrej për herë të parë në pyetje. Gjyqi mediatik ndaj të cilit ishte një tjetër masakër, gurësh dhe pështymash”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme