Balotazhi i zgjedhjeve lokale në Kosovë, nis votimi i disaporës për raundin e dytë për kryetarët e komunave

Nga 27 tetori deri më 8 nëntor, qytetarët e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të votojnë përmes postës për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se të drejtë vote kanë vetëm 29 mijë e 712 shtetas që ishin regjistruar me sukses për votim jashtë vendit për raundin e parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura më 12 tetor.
“KQZ ka nisur procesin e votimit jashtë vendit para certifikimit të rezultateve për të shmangur vonesat në procesin zgjedhor dhe për të siguruar që çdo qytetar i regjistruar të ketë mundësinë të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për të votuar në kohë”, thuhet në njoftimin e saj.
Organi i administrimit të zgjedhjeve ua dërgon qytetarëve të diasporës përmes postës pakon me fletëvotim për kryetarin e komunës, më pas, votuesi është i detyruar që atë pako ta dërgojë në njërën prej kutive postare të KQZ-së në 22 vende të botës dhe në Kosovë.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të zhvillohet më 9 nëntor në 18 komuna, përfshirë edhe Prishtinën. Në 20 komuna, kryetarët e rinj dhe përbërja e re asambleve komunale u zgjodhën që në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, që u mbajt më 12 tetor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




