Barazia Gjinore në media, Drejtoresha e Përgjithshme, Vasili: RTSH ka rritur përfaqësimin e grave në media, por sfidat mbeten

Aktualitet | 11 muaj më parë

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, znj.Eni Vasaili theksoi se institucioni që ajo drejton ka rritur përfaqësimin e grave në media, edhe pse shtoi se ka ende shumë punë për të bërë.

Gjatë diskutimit për barazinë gjinore në median shqiptare, me temë “Përfaqësimi, Lidershipi dhe Realitetet Profesionale”, znj.Vasili u shpreh se puna për barazinë gjinore është një sfidë e përditshme, ndërsa vuri në dukje se RTSH ka rritur përfaqësimin dhe rolet editoriale të grave, por kjo mbetet një prioritet i vazhdueshëm.

“Kemi rritur përfaqësimin dhe cilësinë e grave dhe vajzave në media, dhe kjo është fakt. Por ky është vetëm fillimi dhe për rolet editoriale përfaqësimi gjinor mbetet një sfidë e vazhdueshme. Ky është një prioritet i imi si drejtuese, dhe po punohet për të adaptuar mekanizmat mbështetës”, tha znj.Vasili.

Sipas znj.Vasili, nga 1000 të punësuar në RTSH, 350 janë gra dhe vajza, ndërsa në ekran drejtimi i programeve të ndryshme i është besuar 50 grave dhe vajzave të talentuara e profesioniste.

“Kjo çështje është e përditshme dhe më ka shoqëruar edhe mua që kur fillova punë si gazetare terreni. Nuk është e lehtë dhe për shumëkënd, në dukje, të qenit gruaja e parë që drejton RTSH-në do të thotë që unë jam shembulli më i mirë që ekziston dhe funksionon barazia gjinore në media. E drejtë, por ky përmirësim ka ardhur shumë vonë, pas 65 viteve punë të RTSH-së.

Në RTSH punojnë 350 gra dhe vajza nga 1000 të punësuar, dhe kjo shifër tregon shumë. Në ekran kemi 50 gra dhe vajza që drejtojnë programe të të gjitha fushave, dhe në prime time kemi ndarë 50 me 50 drejtuesit meshkuj dhe femra. Në RTSH përfaqësimi i grave është dukshëm më i lartë se i burrave, dhe situata që gjetëm për barazinë gjinore ka qenë dukshëm në dëm të grave. Emërimet që kemi bërë pas marrjes së detyrës kanë pasur shumicën gra në disa drejtori kryesore, dhe kjo nuk është për të diskriminuar burrat, por zgjedhjet e bëra kanë qenë të duhurat për cilësinë profesionale që ato përfaqësojnë”, u shpreh znj.Vasili.

Gazetarët dhe gazetaret përballen me sulme, ngacmime dhe stereotipe, tha znj.Vasili, ndaj RTSH, shtoi ajo, ka miratuar muajin e kaluar Kodin e Etikës, që trajton ndër të tjera edhe rastet e ngacmimeve seksuale.

Vasili theksoi se RTSH beson te gazetaret dhe gratë në media, duke garantuar role të njëjta dhe paga edhe më të larta sipas performancës.

“Gazetarët dhe gazetaret përballen me sulme, ngacmime, diskriminime dhe stereotipe. Në muajin e kaluar, Këshilli Drejtues miratoi Kodin e Etikës ku trajtohen edhe rastet e ngacmimeve seksuale. Nuk është zgjidhje përfundimtare, por është një hap përpara.

RTSH po u beson gazetareve role të njëjta dhe paga më të larta sipas performancës së tyre. Po ashtu, RTSH është përpjekur që në raportimet për dhunën që prek gratë të përdoret gjuhë neutrale, jo seksiste, duke u fokusuar tek faktet”, tha ndër të tjera znj.Vasili.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme