Bardhi: Ftesa për Bordin e Paqes ishte institucionale, jo personale për Ramën

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi nga foltorja e Kuvendit pas fjalimit të kryeministrit Edi Rama në seancën plenare, duke e akuzuar këtë të fundit se “e mbushi fjalën me urrejtje dhe mashtrime”.
Në nisje të fjalës së tij, Bardhi iu referua ftesës për Bordin e Paqes, duke theksuar se përfaqësimi i Shqipërisë në këtë forum ndërkombëtar nuk ishte personal për Ramën.
Ai ironizoi mazhorancën për përpjekjet që, sipas tij, bënë për të futur emrin e Ramës në ligj përmes Elisa Spiropalit.
“Bëri mirë që iku, e kishte mbushur fjalimin me urrejtje. Vijoi propagandën sikur i ishte bërë një nder i madh për të qenë në Jerusalemin, por është turp i madh që të shesësh izolimin ndërkombëtar si nder. Nëse ftesa do të ishte personale, nuk do të kishte nevojë për manovra ligjore. Shqipëria përfaqësohet ose nga presidenti, ose nga kryeministri. Çfarë halli ke që kërkon ta shkruajmë emrin tënd në ligj?” – u shpreh Bardhi.
Ai akuzoi Ramën se po tenton të paraqesë veten si të zgjedhur personalisht nga amerikanët, ndërkohë që sipas tij, e vërteta është krejt ndryshe.
“Po të të kishin zgjedhur, nuk do të kishe nevojë t’i thoshe Taulantit që ta shënonte emrin tënd në ligj, apo t’i luteshe Elisës që ta përfshinte në projektligj. Pse e lidh pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë bord me emrin tënd të nxirë, si i vetmi kryeministër që ka pritur në zyrë kartele të drogës?. E vërteta është që në bordin e Paqes është ftuar Shqipëria dhe sigurisht që përfaqësohet ose nga Presidenti i Republikës, ose nga kryeministri. Nëse ftesa do të ishte personale për ty, çfarë nevoje ke që kërkojmë ta shkruajmë emrin tënd në ligj?” – u shpreh Bardhi.
Bardhi, ngriti pyetjen pse Shqipëria nuk ishte e pranishme në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke e cilësuar mungesën si një tregues të izolimit ndërkombëtar.
“Pse sot nuk është në Davos dhe pse Shqipëria nuk pranohet në këtë aktivitet nga më të rëndësishmit botëror? Për fat të keq, nga rajoni i Ballkanit, i vetmi lider i pranishëm ishte presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani,” – tha Bardhi.
Sipas tij, përgjigja e Ramës për këtë mungesë ishte “aspak serioze”, pasi kryeministri pretendoi se kishte zgjedhur një takim privat për investime me një kompani amerikane mbi përfaqësimin shtetëror.
“Takimin privat për investime e ke pasur dje. Disponon një avion privat dhe mund të ishe nisur për të arritur takimin në Davos. Por edhe këtu gënjeu, sepse takimin për investimet e mirëpritura amerikane e ke pasur dje, z. Rama. Çdo shqiptar e di që mund të ishe nisur për të qenë në Davos. ” – përfundoi Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




