Bardhi përshëndet votimin e rezolutës së PE për integrimin e Shqipërisë: Problem themelor mbetet mbrojtja politike që Rama i bën korrupsionit

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka përshëndetur votimin e raportit nga ana e Parlamentit Evropian për ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit. Bardhi thekson se të gjitha grupimet e kanë mbështetur ecurinë e Shqipërisë, ndonëse, sipas tij, ky proces kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, si dhe luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Jam i lumtur sepse Parlamenti Evropian ka rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të secilit grupim brenda këtij parlamenti për integrimin evropian të Shqipërisë. Mirëpo, ka ritheksuar atë që opozita e ngre me shqetësim prej vitesh: se ky proces kalon vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe, sigurisht, luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.” Deklaron Bardhi.
Kreu i Grupit të PD-së thekson nga Strasburgu se raporti evidenton si problematikë kyçe mbrojtjen politike që kryeministri i bën korrupsionit. Këtu përmendet specifikisht rasti i zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
“Raporti ka evidentuar si çështje shqetësuese mbrojtjen politike që Edi Rama i bëri me votë në Kuvendin e Shqipërisë imunitetit të Belinda Ballukut. Asnjë zyrtar i korruptuar nuk duhet të ketë mbrojtje dhe imuniteti duhet të hiqet sipas standardeve që ka përcaktuar Komisioni i Venecias. Për Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike, raporti i miratuar sot në Parlamentin Evropian është padyshim një program i qartë pune.”, deklaron Bardhi.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




