Barometri i Ballkanit – 43% e shqiptarëve shpresëplotë se brenda 2030 vendi do të jetë në BE

Aktualitet | 11 muaj më parë

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal prezantoi në Bruksel për të 11 vitin vit, Barometrin e Ballkanit, një vëzhgim që mat perceptimin e njerëzve dhe bizneseve të vendeve të rajonit në lidhje me integrimin evropian. Në gjetjet e këtij viti bie në sy se 68 % e të rinjve duan të largohen nga vendet e tyre, gjysma e tyre përgjithmonë dhe gjysma përkohësisht. Ndërsa Shqipëria është vendi ku një pjesë e madhe e të anketuarve, rreth 43 për qind janë shpresëplotë se brenda vitit 2030 vendi do të anëtarësohet në BE.

Në Ballkan është rritur perceptimi se forcimi i bashkëpunimit rajonal mund të përmirësojë ekonominë e secilit vend. Kjo është një nga gjetjet e Barometrit të Ballkanit për vitin 2025, sipas të cilit 64% e të anketuarve i qëndrojnë këtij mendimi. Një tjetër perceptim pozitiv, është rritja e besimit te Bashkimi Evropian, që ka shkuar në 64%. Por vetëm 26% e të anketuarve mendojnë se integrimi në BE mund të arrihet brenda vitit 2030, pjesa më e madhe e tyre janë nga Shqipëria.

“Shqiptarët gjithmonë kanë qenë optimistë në lidhje me integrimin, por këtë herë ka ndikuar dhe shpejtësia e qeverisë në procesin e negociatave. Tani duket se BE është më afër, nuk është thjesht spekulim. Ne shpresojmë vërtetë që Shqipëria të anëtarësohet brenda 2030 dhe të japë një sinjal pozitiv për të gjithë rajonin, që kjo gjë mund të ndodhë“, u shpreh Amir Kapetanovic, Sekretar i Përgjithshëm, RCC.

Shqetësimet kryesore të qytetarëve të 6 vendeve të rajonit lidhen me rritjen e çmimeve, papunësinë, mungesën e stabilitetit politik, korrupsionin dhe largimin e të rinjve. 

“Nuk ka asgjë të keqe që të rinjtë të largohen, të zhvillohen dhe të kthehen për të kontribuar në vendin e tyre“, tha Franceska Muco, Drejtuese e Rrjetit shqiptar të profesionistëve të rinj

Barometri i Ballkanit është një vëzhgim i përvitshëm i perceptimit të njerëzve dhe bizneseve në 6 vende të Ballkanit Perëndimor, sa  i përket bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian. Çdo vit për matjen e perceptimit përfshihen 6000 njerëz dhe 1200 biznese nga Shqipëria, Kosova, Mali i ZI, Maqedonia e Veriut, Bosnje Hercegovina dhe Serbia.

Gazetare: Albana Agolli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme