Bashkimi Evropian drejt ndalimit të gazit rus, vendet anëtare pritet të miratojnë afatin e vitit 2028

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura në momentin e fundit nga Franca, Italia dhe Spanja mbi sigurinë ligjore dhe mekanizmin e kontrollit të ngarkesave të gazit të lëngshëm (LNG) që mund të përmbajnë karburant rus, vendet e Bashkimit Evropian pritet të bien dakord për një ndalim të importit.
Dyshimet e Parisit, që rrezikonin të bllokonin marrëveshjen, u kundërshtuan me vendosmëri nga Komisioni Evropian.
Në një takim diplomatik të fundit, ekzekutivi i BE-së theksoi se vetëm 8% e ngarkesave LNG – rreth 70 deri në 80 anije në vit – do t’i nënshtrohen miratimit paraprak, konfirmuan veçmas tre zyrtarë kombëtarë të pranishëm.
“Do të ketë një shumicë të fortë,” tha një diplomat i lartë i BE-së, në prag të takimit të ministrave të energjisë në Luksemburg, të hënën më 20 tetor.
Sipas draftit më të fundit të qëndrimit negociues nga Këshilli i BE-së, afatet për ndalimin mbeten siç janë propozuar nga Komisioni: blerjet e menjëhershme të gazit rus ndalohen nga 1 janari 2026, kontratat afatshkurtra përfundojnë më 17 qershor 2026, dhe nuk do të lejohen kontrata të reja afatgjata, ndërsa ato ekzistuese do të ndërpriten nga 1 janari 2028.
Nafta ruse, e cila vazhdon të furnizojë Sllovakinë dhe Hungarinë, nuk është ndaluar në mënyrë eksplicite në propozimin e Komisionit, i cili u kërkon qeverive të hartojnë strategji dalëse me synimin për t’i dhënë fund importeve deri në fund të vitit 2027.
Qëndrimi i Këshillit pritet të përplaset me Parlamentin Evropian, ku shumica e eurodeputetëve kërkojnë ndalim të plotë të importeve të gazit nga 1 janari 2027 dhe ndalim ligjor të naftës një vit më herët.
Megjithatë, ndalimi i naftës ruse mund të jetë më i vështirë, sipas disa diplomatëve.
“Rusia ka një histori të qartë si partner i pasigurt, që ka ndërprerë furnizimet me gaz për Evropën,” tha një diplomat i BE-së.
Ndërkohë, furnizimet me naftë kanë qenë më të qëndrueshme, veçanërisht përmes gazsjellësit sovjetik “Miqësia”, gjë që sipas një diplomati tjetër, e bën situatën “më të ndërlikuar”.
Raundi i parë i bisedimeve ndërinstitucionale mund të mbahet në nëntor. Duke pasur parasysh afatet e propozuara, si qeveritë ashtu edhe eurodeputetët synojnë të arrijnë një marrëveshje përfundimtare para fundit të vitit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




