Baza ajrore në Kuçovë, Maqedonci: I jep Shqipërisë një tjetër karakter gjeostrategjik

Baza e Kuçovës i jep Shqipërisë një tjetër karakter gjeostrategjik, tha të hënën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Z. Maqedonci mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të bazës së re ajrore taktike në Kuçovë, të cilën e konsideroi një ngjarje historike.
“Kjo bazë, që do të shërbejë si bazë ajrore taktike e operacionale, përbën investimin më madhor të Shqipërisë dhe aleancës së NATO-s, si aset i vyer i mbrojtjes kolektive në dekadën më të kërcënuar të sigurisë.
Gjersa Forca e Sigurisë së Kosovës në përputhje me Planin Gjithëpërfshirës të Tranzicionit do të ngrejë dhe kapacitetet e saj ajrore, urojmë që Shqipëria të vazhdojë ndërtimin e flotës moderne ajrore. Si çdoherë kombi shqiptar është në anën e duhur të historisë, andaj dhe kjo bazë ashtu si dhe të gjitha kapacitetet ushtarake do të jenë vetëm në funksion të paqes.
Përmes bazës ajrore të Kuçovës, situata e sigurisë në Ballkan tashmë do të shihet nga një prizëm tjetër, sigurisht më i konsoliduar se kurrë bashkëpunimi ndërmjet shteteve anëtare të NATO-s dhe fqinjëve tanë që duan stabilitetin,” reagoi ministri Maqedonci në rrjetin “Facebook”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




