BE përshëndet përparimin drejt marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Kreu i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kanë përshëndetur sot përparimin drejt një marrëveshjeje për të përfunduar luftën në Ukrainë, por kanë theksuar se ende ka çështje të pazgjidhura pas përpjekjeve urgjente të fundjavës për të rishikuar draft-planin amerikan.
“Ka një moment të ri në negociatat për paqen”, u tha Costas gazetarëve në samitin e Angolës, pas një takimi emergjent të krerëve të BE-së për çështjen e Ukrainës.
Nga ana e saj von der Leyen theksoi se “edhe pse puna vazhdon, tani ka një bazë të fortë për të ecur përpara”.
Costa tha se bisedimet e së dielës në Gjenevë midis zyrtarëve amerikanë, ukrainas dhe evropianë kanë arritur përparim “në disa çështje”.
“Disa çështje mbeten për t’u zgjidhur, por drejtimi është pozitiv”, tha ai.
Ai theksoi se çështjet që përfshijnë Bashkimin Evropian, “si sanksionet, zgjerimi apo asetet e bllokuara ruse kërkojnë përfshirjen e plotë dhe vendimet e Bashkimit Evropian”.
Von der Leyen tha se BE-ja do të insistojë në parimet e saj se “territori dhe sovraniteti i Ukrainës duhet të respektohen – vetëm Ukraina, si vend sovran, mund të marrë vendime lidhur me forcat e saj të armatosura”.
Von der Leyen vuri në dukje se krerët evropianë do të mbajnë një videokonferencë të martën me “koalicionin e gatshëm” më të gjerë prej rreth 30 vendesh që mbështesin Ukrainën.
Në diskutimet aktuale për formën e një marrëveshjeje paqeje në Evropën Lindore, nuk duhet të anashkalohet Bjellorusia.
Si aleate e ngushtë e Rusisë, përfshirja e saj mund të jetë kyçe për një paqe të qëndrueshme, duke adresuar çështje si kufijtë dhe ndikimi rajonal.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




