BE thirrje Kosovës: Krijoni institucionet dhe zbatoni Asociacionin. Do vetizoloheni nëse s’dëgjoni miqtë!

Kosovë | 1 vit më parë

Bashkimi Evropian ka kërkuar formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja në Kosovë, zbatimin e Asociacionit për komunat serbe, ndërsa i kanë bërë thirrje që të shfrytëzojnë mundësitë gjeopolitike të kohës për të ecur më para me integrimin.

Ambasadorët e katër vendeve të BE-së theksuan nevojën për një qeveri funksionale për të avancuar proceset reformuese dhe dialogun me Serbinë.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se Kosova ka potencialin të ecë drejt integrimit evropian, por paralajmëroi se krahasimi me vendet e tjera nuk e ndihmon këtë proces. Ai shtoi se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është i domosdoshëm dhe duhet të realizohet sa më parë.

Sipas tij, BE-ja ka nisur heqjen graduale të masave ndaj Kosovës, por për të pasur përparim, është e nevojshme bashkëpunim i ngushtë me institucionet e Kosovës.

“Ju mund t’i bëni gjërat dhe mund ta çoni vendin tuaj drejt Bashkimit Evropian. Dhe dua të them që argumentet se një vend fqinj është duke bërë edhe më keq, nuk e afrojnë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian. Tani, ajo që presim shumë nga Kosova është, së pari, të kemi një partner. Po, kemi një partnere, presidenten, por na nevojitet edhe pushteti ekzekutiv. Pra, kemi nevojë për një partner me të cilin të flasim për hapat e ardhshëm, si të lëvizim më afër Bashkimit Evropian. Shpresojmë shumë që qeveria të formohet sa më shpejt të jetë e mundur. Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas ditë më parë shpalli se do të kemi heqjen graduale të masave ndaj Kosovës dhe kjo heqje ka filluar. Mirëpo për të ecur përpara na duhet një bashkëpunim i mirë dhe ngushtë me autoritetet në Kosovë. Një temë që të gjithë flasim por nuk është aq e preferuar nga politikanët në Kosovë është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Qëndrimi i BE-së është i qartë se ai duhet të themelohet dhe është më mirë të bëhet sa më shpejt që të ecim përpara”, tha Orav.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, shprehu shqetësim për bllokimin institucional që, sipas tij, po ndikon negativisht në funksionimin demokratik të vendit.

“E përshkruan fjala, është ngërç, është ndalesë. E thashë javën e kaluar, i bën njerëzit apatik dhe gjëja e fundit që i nevojitet një demokracie të gjallëruar është bllokada. Njerëzit kanë kryer punën e tyre me 9 shkurt dhe politikanët duhet të vendosin shtetin të parin, ndërsa politikën e partisë të dytën. Pra, mendoj se nevojitet urgjentisht që Kosova të formojë institucionet. Por, nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj, por mund të të them për siguri se nuk rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të marrësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani. Thjeshtë nuk kemi kompromisin që nevojitet mes palëve politike. Nuk jam këtu që të jap nota”, tha Rohde.

Nga ana tjetër, ambasadori francez, Oliver Guerot, theksoi se Kosova nuk është e izoluar, përveç nëse kërkon të vetizolohet.

“I kam dy mesazhe të thjeshta. Mesazhi i parë është që Kosova nuk është e izoluar përveç nëse e izoloni vetveten. QUINT ka mbështetur Kosovën vite me radhë dhe kohëve të fundit kam lexuar këshillën tonë ligjore në GJND duke shpjeguar pse Franca e ka mbështetur Kosovën historikisht. Nuk jeni të izoluar. Kosova nuk është një ishull por është në mes të rajonit. Ju nuk jeni të izoluar përveç nëse izoloni vetveten. Tash si e izolon njeriu vetveten? Thjesht duke mos i dëgjuar miqtë, duke kultivuar një formë drejtësie dhe duke gjetur arsye dhe shkase të ndryshme duke mos respektuar zotimet e ndërmarra. Dëgjoni miqtë tuaj”, u shpreh ai.

Edhe ambasadorja e Holandës në Kosovë, Karin Boven, shtoi se formimi i qeverisë së re është thelbësor për të kthyer përkushtimin për integrim evropian në rezultate konkrete.

“Tani është me rëndësi të demonstrohet përkushtimi dhe të sigurohemi që të formohet qeveria e re, në mënyrë që vendosmëria për integrim në BE të marrë formë përmes rezultateve konkrete”, tha ambasadorja.

Reagimi i ambasadorëve vjen në një kohë kur klasa politike po dështon me konstituimin e Kuvendit të Kosovës duke krijuar ngërç politik në vend. Ditën e enjte pritet që të zhvillohet seanca e 23-të, ndërsa partitë politike akuzojnë njëra-tjetrën për bllokim të procesit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme