BE thirrje ushtrisë izraelite të ndalojë vrasjen e civilëve që kërkojnë ndihmë

Botë | 1 vit më parë

“Ushtria izraelite duhet të ndalojë vrasjen e civilëve palestinezë që mblidhen në pikat e shpërndarjes së ndihmës humanitare në Gaza”, bëri thirrje të martën (22 korrik) Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme, Kaia Kalas.

“E kam deklaruar qartë se ushtria izraelite duhet të ndalojë së vrari njerëz në pikat e shpërndarjes së ndihmës humanitare”, shkroi ajo në X pasi foli me Ministrin e Jashtëm Izraelit, Gideon Saar.

“Vrasja e civilëve që kërkojnë ndihmë është diçka që nuk mund të justifikohet”, thekson ajo.

Bashkimi Evropian njoftoi dy javë më parë se kishte arritur një marrëveshje me Izraelin për të përmirësuar shpërndarjen e ndihmës humanitare në Gaza.

“Izraeli ka mbajtur disa angazhime, siç e thashë edhe javën e kaluar, por është e qartë se mbetet shumë për të bërë”, tha sot zëdhënësi diplomatik i BE-së, Anwar El Announi, duke theksuar se Kallas po “vazhdon të ushtrojë presion” mbi Izraelin.

Kalas bëri të ditur se i tha sot ministrit izraelit se “të gjitha opsionet mbeten në tryezë” nëse Izraeli nuk i përmbush angazhimet e tij.

Një raport i Komisionit Evropian, i paraqitur në fund të qershorit, thotë se Izraeli shkeli Nenin 2 të Marrëveshjes së Asociimit me BE-në në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut.

Si pasojë, Kalas përgatiti një listë opsionesh të mundshme: pezullimin e të gjithë marrëveshjes, ndalimin e eksporteve me origjinë nga territoret e pushtuara palestineze, rishikimin e politikës së vizave, apo edhe pezullimin e pjesës tregtare të marrëveshjes së asociimit.

Vendimi kërkon unanimitet të 27 shteteve anëtare ose një shumicë të kualifikuar nëse ka të bëjë me pjesën tregtare të marrëveshjes.

Ministrat e jashtëm të BE-së, të cilët janë shumë të ndarë për këtë çështje, preferuan të shtynin çdo vendim për më vonë gjatë takimit të tyre në Bruksel më 15 korrik.

Ata pritet të takohen përsëri në fund të gushtit në një samit informal në Kopenhagen, kryeqytetin e Danimarkës, e cila mori përsipër presidencën e radhës të BE-së më 1 korrik.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme