Begaj takon raportuesin e PE: Orientimi pro-euroatlantik është i pandryshueshëm

Politikë | 2 vite më parë

Presidenti, Bajram Begaj ka zhvilluar një takim me raportuesin e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder.

Kreu i Shtetit falënderoi Parlamentin Evropian si mbështetësin dhe avokatin më të madh të Shqipërisë në rrugën e integrimit në BE, duke garantuar njëkohësisht përkushtimin e plotë të Shqipërisë për përmbushjen në kohë të reformave të kërkuara për avancimin e negociatave.

“Nuk do të gjeni askund dy shtete si Shqipëria dhe Kosova me mbështetje më të madhe ndaj Bashkimit Evropian, ku, pavarësisht bindjes politike të qytetarëve dhe partive politike, orientimi pro-euroatlantik është i pandryshueshëm”, u shpreh Begaj.

Begaj bëri të ditur se në takim u bisedua mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit, përgatitjet dhe sfidat që ky proces të përmbushë standardet e Bashkimit Evropian për zgjedhje të drejta, të lira e të ndershme.

“Më shumë se rezultati, për ne ka rëndësi procesi, standardet e zgjedhjeve demokratike. Këto zgjedhje vijnë me një risi, siç është ajo e votës së Diasporës, që duhet përshëndetur. Unë i jam drejtuar klasës politike t’i japë fund fenomeneve shqetësuese të zgjedhjeve të mëparshme, siç janë përdorimi i fondeve publike për arsye elektorale, mungesa e besimit mes partive politike, si dhe t’i jepet fund zvarritjes në nxjerrjen e rezultatit, që të mund të kemi një proces të  gjithëpranuar dhe dita e nxjerrjes së rezultatit të jetë një ditë e bukur për Shqipërinë, ku fituesi të festojë me modesti dhe humbësi të respektojë rezultatin”, nënvizoi gjatë bisedës Kreu i Shtetit.

Po ashtu, Begaj shprehu besimin se monitorimi i procesit nga Parlamenti Evropian dhe vëzhguesit e tjerë kombëtarë e ndërkombëtare do të ndikonin në arritjen e standardeve të kërkuara.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme