Begaj uron Briken Caljan për medaljen e artë në Taranto 2026: Një rekord i ri që na bën krenarë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka uruar peshëngritësin shqiptar Briken Calja për suksesin e tij në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Calja arriti të fitojë medaljen e artë në stilin e shkëputjes, duke ngritur 154 kilogramë dhe duke vendosur një rekord të ri të kompeticionit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Presidenti Begaj përgëzoi Caljan për paraqitjen dhe rekordin e vendosur.
“Urime peshëngritësit tonë, Briken Calja, për medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026! Një rekord i ri që na bën krenarë.
Urime, Briken! Shqipëria krenohet me ty”, shkruan Begaj në rrjetin social Facebook.
Briken Calja shkelqeu në Lojërat Mesdhetare Taranto 2026. Peshëngritësi shqiptar fitoi medalje ari në stilin e shkëputjes, duke ngritur 154 kilogramë, që është edhe një rekord për këtë kompeticion. Në stilin e shtytjes ai mori medalje bronzi, duke i dhuruar Shqipërisë dy medalje në Lojërat Mesdhetare.
Briken Calaj ka garuar sot në kategorinë deri 75 kilogramë. Në stilin e shkëputjes ai ngriti 147 kilogramë në provën e parë. Në provën e dytë peshëngritësi kuqezi ngriti 152 kilogramë dhe në të tretën 154 kilogramë. Tre prova të kaluara me sukses dhe rekord nga Calja për Lojërat Mesdhetare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




