Berisha: Paratë e vjedhura nga qeveritarët do ua kthejmë qytetarëve, korrupsioni ka krijuar situatën e rëndë ekonomike

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në takimin me demokratët e degës nr.2 në Tiranë, deklaroi se situata e rëndë ekonomike ku është vendi, ka vetëm një faktor dhe ky është korrupsioni.
“Sot ne jemi në prag të një ndryshimi shumë të thellë, shumë të madh. Shqipëria në këto 12 vite, e vërteta është se, eci në një drejtim në të cilin dy gjëra nuk mund t’i mohojë kush. Së pari, në drejtim të largimit të shqiptarëve më shumë se kurrë nga Shqipëria. Cilido që mendon ndryshe, le të mbyllë sytë për një moment dhe të mendojë se sa njerëz të rrethit të tij janë larguar nga ky vend këto 12 vite. Aspekti i dytë dramatik i këtij drejtimi është varfërimi i madh dhe i vazhdueshëm i qytetarëve shqiptarë. Ky varfërim ka për tregues të qartë pensionet dhe rrogat krejtësisht të papërshtatshme për çmimet e tregut dhe për një jetë normale.”, tha Berisha.
Sipas tij, sot, një pensionist me pensionin e tij mesatar merr 165-170 euro, krejtësisht të pamjaftueshme për përballimin e jetës.
“Të mos diskutojmë për ata që marrin pensionin minimal 120 euro. Por këta që marrin pensione të plota, këta janë pakica. 57% e pensionistëve marrin pensione të pjesshme. E gjithë kjo situatë ka vetëm një faktor dhe ky faktor është korrupsioni, vjedhja, shpërdorimi, përvetësimi i parave të taksave tuaja nga qeveritarët. Është një vjedhje e tillë, saqë tejkalon çdo imagjinatë.”, tha ai.
Berisha: Paratë e vjedhura nga qeveritarët do ua kthejmë qytetarëve
Kryetari i PD-së deklaroi se si shtyllë të tretë kryesore të programit është Pastrimi i Shtëpisë.
“Ne nuk do të dilnim para jush, në qoftë se nuk do ishim 100% të sigurt se, me dorë të hekurt, me zero tolerancë, ne do luftojmë vjedhjen e korrupsionin e qeveritarëve dhe zyrtarëve, ne do luftojmë krimin e organizuar që është shndërruar, është bërë një me qeveritarët. Pikërisht, në këtë betejë për të pastruar shtëpinë tonë, ua them unë ju, nuk ka asgjë më jetike, gjithçka rrënohet në qoftë se me gërshërët e ligjit nuk japim përgjigjen më të merituar vjedhjeve dhe shpërdorimit të parave të taksave tuaja. Ne e kemi luftuar korrupsionin. Sigurisht, korrupsion ka pasur. Por u them unë ju, praktikat që ne instaluam për luftën kundër korrupsionit ishin praktikat më transparente, dhe çfarë ka mbetur nga ajo kohë janë të vetmet. Regjistrimi i biznesit me 1 euro. Ishte 4 mijë euro dhe një muaj kohë. Licencat, i shtuan i kthyen, por ne i reduktuam licencat nga 200 në 60. Vendosëm e- albania. Vendosëm kadastrën digjitale. Vendosëm transparencën absolute të shpenzimeve të Thesarit të Shtetit. Çdo qytetar mund të kontrollonte të nesërmen se sa para ka shpenzuar kryeministri i vendit nga taksat e tij. Pra, ne përjashtuam me ligj ministrat nga autoritetet kontraktuese. Pse po ua numëroj të gjitha këto? Ne kemi gjithë trashëgiminë, por kemi gjithë forcën dhe vullnetin t’i rikthehemi në mënyrën më të fuqishme luftës së korrupsionit, vjedhjes së parave tuaja. Dhe t’ua kthejmë ato ju. Ne. Do t’ua kthejmë ato ju. Janë taksat tuaja. Ne do i kthejmë ato në rroga, ne do i kthejmë ato në pensione, ne do i kthejmë ato në shërbime, në shëndetësi, në arsim. Ne do i kthejmë në subvencione në bujqësi. Pra, pastrimi i shtëpisë është shtylla qendrore mbi të cilin bazohet programi ynë.”, tha Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




