Berisha prezanton logon e fushatës: Në kongresin e Partive Popullore paraqes të vërtetat e Shqipërisë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar këtë të premte logon e re të fushatës së PD-së për zgjedhjet e 11 majit, duke e cilësuar këtë hap si një simbol të fitores dhe të unitetit.
Berisha ka theksuar se “Të jesh 1-sh, të përkasësh 1-shave është privilegj, është një detyrë të qëndrosh në lartësi.”
Ai u shpreh se logoja simbolizon betejën dhe angazhimin e demokratëve për të mbrojtur vlerat e Partisë Demokratike dhe të Aleancës Shqipëria Madhështore.
“Në të gjitha librat, përshkruhet si më i miri, si i pari. Kur fati që është sa hyjnor dhe tokësor, i ra PD-së të ketë këtë numër, entuziazmi i demokratëve dhe mbështetësve të PD-së, por në tërësi i shqiptarëve ishte dhe është jashtëzakonisht i madh,” tha Berisha.
Ai po ashtu theksoi se çdo votë për Partinë Demokratike është një votë për “1-shin” dhe për një Shqipëri më të madhe dhe më të fuqishme.
“Ata që votojnë për Partinë Demokratike dhe Aleancën Shqipëria Madhështore, votojnë 1-shin. Defakto janë 1-sha. Nuk mohohet,” shtoi Berisha.
Duke folur për logon e fushatës, Berisha theksoi se kjo është logoja e betejës që demokratët do të mbajnë deri në fitoren e 11 majit, duke nënvizuar se kjo logo do të shoqërojë çdo hap të fushatës së PD-së dhe do të përfaqësojë betejën e fortë për fitoren e ardhshme.
“Për më tepër, logoja ka një pamje të bukur dhe mahnitëse, që pasqyron besimin dhe shpresën e demokratëve për një të ardhme më të ndritur të Shqipërisë,” përfundoi Berisha.
Ky i fundit konfirmoi më tej pjesëmarrjen në Kongresin e Partive Popullore, një ngjarje e rëndësishme që mbledh 13 kryeministra dhe liderë të ndryshëm politikë. Berisha ka deklaruar se do të mbajë një fjalim ku sikurse shprehet ai, do paraqesë të vërtetat e Shqipërisë.
“Jam i nderuar që do të shkoj dhe të paraqes Shqipërinë, të vërtetat e saj dhe do t’ju them të gjitha, ashtu siç janë,” tha Berisha, duke theksuar se kjo paraqitje do të ndihmojë Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e këtij kongresi për jetën e Partisë Popullore dhe Partisë Demokratike, si anëtare e asociuar e këtij organizimi ndërkombëtar. Berisha premtoi se do të përdorë kohën në mënyrë sa më efikase për të paraqitur një pamje të qartë të situatës aktuale në Shqipëri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




