Berisha: Rama në samitin e NATO, si njeriu i përçmuar
Për kryedemokratin Berisha prej dy muajsh në qarqet ndërkombëtare qarkullojnë lajme që venë në pikëpyetje mbajtjen e samitit të NATOS-s në Tiranë vitin e ardhshëm. Edhe pse nuk pranoi të hyjë në këtë diskutim, Berisha në fjalën e tij çojë vëmendjen tek detajet të samitit që le të kuptohet se informacionet edhe pse jo zyrtare mund të jenë të vërteta, edhe pse sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe kryeministri Rama thanë nga Ankaraja e Turqisë se Shqipëria do të jetë vendi mikpritës i radhës i samitit.
“Në dokumentet e NATO-s kur përfundon një samit informohet samiti tjetër dhe kësaj here nuk ndodhi. Sikundër nuk ndodhi konferenca e veçantë për shtyp”, tha Berisha.
Për Berishën, në mungesë të vlerësimit në samitin e NATOS-s, Rama u përpoq të tërheq vëmendjen përmes performancës, por sipas këndvështrimit të kryedemokratit, Rama dështoi edhe në këtë përpjekje.
“Aty ishte njeriu më i vetmuar, Sharlatani më i damkosur, hokatari më i shpifur, që mendoj se me atletët e bardha do mund të tërhiqte vëmendje dhe tërhoqi vetëm përçmim”, tha ai.
Berisha akuzoi kryeministrin se ka urdhëruar ndalimin e hyrjes në territorin e Shqipërisë së deputetëve të Maqedonisë së Veriut.
“Përbën një përpjekje vulgare për të fajësuar fqinjët dhe të tjerët për protestën rinore qytetare”, tha Berisha.
Gjithashtu kreu demokrat akuzoi shefin e qeverisë për thyerje të Kushtetutës duke vënë në dispozicion fondin e emergjencës për koncertin e pritshëm të këngëtarit amerikan të repit.
Gazetare: Anisa Kadesha
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




