Berisha takime në Vorë dhe Kashar: Fushata e Ramës vulgare, PD parti e vlerave të familjes

Koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërisë Madhështore”, ka vazhduar fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025 në Vorë dhe Kashar.
Në fjalën e tij përpara zgjedhësve, kryetari i PD, Sali Berisha, pasi prezantoi kandidatët për deputetë të qarkut të Tiranës, akuzoi shumicën socialiste, sipas tij, “për skandalet qeveritare dhe financiare gjatë 12 viteve në pushtet”.
Ai deklaroi se PD ka në projektin bazë të saj familjen dhe moralin e saj. Berisha e etiketoi fushatën e kryeministrit Rama si “vulgare”, bazuar në sharje e fyerje.
“Kjo është aleanca më madhështore që nga viti 1990. Më e madhja që do ndikojë në mirëqenien tuaj, sigurinë tuaj, të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve, të Vorës, Kasharit dhe më gjerë. Jemi parti e vlerave themelore të shqiptarit dhe shoqërisë. Në kombin tonë, si në të gjithë kombet e tjera, themeli është familja. Vijmë me një projekt për familjen shqiptare.
Kombi i fortë vjen me një familje të fortë. Nuk jam polic morali, por dashuria mes burrit dhe gruas, respekti i ndërsjellë është morali më i lartë i shoqërisë. Asnjë motër, nënë apo motër, nuk do donte t’u shahej djali, bashkëshorti, prindi. Fushata vulgare e Ramës kërkon të zhvlerësojë familjen dhe konceptin e saj. Fushata e tij ka si qëllim që të zhvendosë vëmendjen tuaj nga problemet e vërteta të familjes shqiptare”, tha Berisha.
Sipas tij, koalicioni opozitar ofron një alternativë reale për të ndalur emigrimin masiv dhe për të garantuar mirëqenie dhe shpresë për çdo familje shqiptare.
Programi social i PD-së
Berisha tha se arsimi dhe shëndetësia kanë degraduar gjatë qeverisjes së PS-së. Ai bëri publik edhe programin elektoral social të PD-së, duke premtuar “çati për çdo çift” të ri, kredi të buta, ndihmë financiare për fëmijën e tretë të familjes, shkolla dhe rrugë të reja, si dhe paga për mësuesit në nivelin 1500 euro.
“Çati për çdo çift të ri. Do të japim kredi për çiftet e reja. 30 mijë euro për shtëpitë me kredi të buta. Për fëmijën e tretë shpenzimet i heq qeveria. Do mbështesim të rinjtë, do rrisim rrogat dhe pensionet. Rroga më e ulët do jetë 500 euro, pensioni minimal 200 euro, minimumi jetik 200 euro. Arsimi është në rrokullisje. Në periudhën 2006-2013, fëmijët tanë në teste arsimore dolën me ngritje vertikale, kurse pas 2013-ës ata erdhën me rënie galopante, sepse iu vodhën kompjuterat, sepse sot në shkolla shqiptare ka vetëm 5% internet. Garantoj se fëmijët do kenë shkollat më të mira, teknologjia digjitale do të zbatohet në çdo shkollë. Mësuesi do jetë në piedestal, duke i paguar atij jo më pak se 1500 euro”, deklaroi Berisha.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




