Bie interesi për mësuesinë, të rinjtë me rezultate të larta nuk e preferojnë
Profesioni i mësuesisë nuk është më një punë e preferuar nga të rinjtë. Shumë prej maturantëve me rezultate të larta nuk i përzgjedhin më degët e mësuesisë. Synimet e tyre janë të fitojnë ato degë që janë të mirëpaguara dhe më të kërkuarat në tregun e punës.
“Kam dëshirë të mbaroj për stomatologji, nuk e kam menduar ndonjëherë stomatologjinë sepse pagat nuk janë të mira dhe për të gjithë atë punë që ti bën, nuk vlerësohesh mjaftueshëm”, tha një nxënëse.
“Dua të vazhdoj për mjekësi. Mësuesi nuk mendoj se është aty ku duhet për pjesën e ekonomisë”, u shpreh një nxënës.
Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, sqaron se në 5 vitet e fundit trendi i kërkesave për mësuesi vijon të jetë i njëjtë, duke kapur shifrat e 7.5%, edhe pse jo të gjithë këta studentë vijojnë mësuesinë në ciklin e dytë të studimeve.
“Mësuesi apo profesionet e rregulluara, edhe në botë, nuk janë shumë të preferuara sepse mundësitë janë të limituara. E mira është që ne të rakordojmë shifrat ndërmjet arsimit parauniversitar ku ne kërkojmë të punësojmë mësues dhe numrit të atyre që diplomojmë”, tha Xhelaj.
Profesori i gjuhësisë, Shezai Rrokaj, thotë se pjesa më e madhe e maturantëve që zgjedhin mësuesinë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë nuk janë me rezultate të larta, dhe faktori kryesor është paga e ulët.
“Në mësuesi vijnë vetëm 15% apo 20% e maturantëve të renditur më poshtë në rezultatet e tyre. Për pasojë do kemi këta nxënës që navijnë, ndonjë mund të jetë edhe i mirë që vijnë për pasion, por janë shumë pak sepse nuk e kemi lidhur me pagën”, u shpreh profesor Rrokaj.
Të gjithë ata që përfundojnë studimet e larta për mësuesi, vendin e punës nuk e kanë të sigurt. Atyre u duhet të kalojnë edhe njëherë në sitë, nëpërmjet dy provimeve të rëndësishme, siç janë provimi i shtetit dhe portali “Mësues për Shqipërinë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




