Bisedime LVV-LDK për presidentin e Kosovës – Kurti intensifikon takimet me krerët e partive për të shmangur zgjedhjet e reja
Dy ditë nga përfundimi i afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri kryeministri i Kosovës Albin Kurti po intensifikon bisedimet me partitë politike. Pas takimit të dytë me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje sot ulet sërish në tryezë me kreun e LDK-së Lumir Abdixhiku.
Një ditë më parë në takimin e Këshillit të Përgjithshëm të partisë së tij, Kurti përmendi emrin e Murat Jasharit për president, si një zgjidhje e duhur në kohën e duhur, por ky i fundit bëri të ditur javën e kaluar se nuk është i interesuar për postin e kreut të Shtetit.
Gjatë takimit të së shtunën, Hamza tha se i propozoi Kurtit që kandidati për president të propozohet nga Partia Demokratike e Kosovës. Në përgjigje të kësaj oferte, kryeministri u shpreh se nëse partitë duan që secila ta ketë kandidatin e vet, atëherë një propozim i tillë do të vijë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet e mbetura është që secili subjekt të propozojë kandidatin e vet partiak dhe të gjithë t’i nënshtrohen garës para Kuvendit, këtë e parasheh edhe Kushtetuta…. nëse subjektet pajtohen që ky të jetë rrugëtimi, pra gara e hapur ku secili subjekt ka kandidatin për president, atëherë edhe ne pajtohemi me këtë qasje dhe LVV do ta ketë kandidatin e saj për president. Si kryetar jam duke u angazhuar maksimalisht që ta tejkalojmë këtë proces dhe vendi mos të shkoj në zgjedhje të reja”, u shpreh Kurti.
Presidenti i ri i Kosovës duhet të zgjidhet deri më 4 mars, pasi presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. Nëse partitë nuk arrijnë konsensus vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




