Bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë-Zelensky takohet me përfaqësuesit e Trumpit në Berlin

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u takua sot në Berlin me përfaqësuesit e presidentit amerikan Donald Trump, emisar special Steve Witkoff dhe dhëndrin Jared Kushner, për të diskutuar rrugët për të përfunduar luftën gati katërvjeçare me Rusinë.
Zelensky postoi në Facebook foto nga takimi, ku shihet delegacioni ukrainas bashkë me Merz, përfaqësuesit amerikanë dhe komandantin e lartë të NATO-s në Evropë, gjeneralin amerikan Alexus Grynkewich.
Merz shkroi në X se Europa kërkon një paqe të qëndrueshme në Ukrainë, se na presin pyetje të vështira, por janë të vendosur të ecin përpara dhe se interesat ukrainase janë edhe interesat evropiane.
Të hënën, Merz do të presë përsëri Zelenskyn në një konferencë biznesi gjermano-ukrainase, para një darke ku do të bashkohen liderë evropianë, kreu i NATO-s dhe i BE-së.
Zelensky, duke shkuar drejt Gjermanisë, tha se është gati për dialog për të përfunduar luftën që nisi me invadimin rus në shkurt 2022 dhe se samiti në Berlin është i rëndësishëm.
Ai theksoi se plani i paqes nuk do të pëlqehet nga të gjithë, por do të përfshijë kompromise.
Zelensky shpreson që SHBA-të të mbështesin idenë e ngrirjes së vijës së frontit aty ku është tani, në vend të cedimit të të gjithë Donbasit siç kërkon Moska.
E quajti këtë opsionin më të drejtë për një armëpushim dhe shtoi se Rusia nuk e sheh pozitivisht, por dëshiron mbështetje amerikane.
Trump ka shtuar presionin për marrëveshje që kur zbuloi planin e tij muajin e kaluar, i kritikuar si jehonë e kërkesave ruse. Ky propozim shkaktoi diplomaci intensive, me Kievin që dërgoi një version të rishikuar në Uashington. Zelensky tha se ende nuk ka marrë përgjigje, por është gati për dialogun që nis sot.
Nga Rusia, ndihmësi i Kremlinit Yuri Ushakov hodhi dyshime, duke thënë se kontributi ukrainas dhe evropian nuk ka gjasa të jetë konstruktiv dhe se Moska do të ketë kundërshtime të forta ndaj çdo ndryshimi.
Javën e kaluar, Zelensky tha se Uashingtoni ende shtyn për cedim tokësor ukrainas, duke propozuar tërheqje vetëm të forcave ukrainase nga pjesë të Donetskut për një zonë ekonomike të çmilitarizuar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




