Bizneset i drejtojnë “gishtin” njëri-tjetrit, në Gjirokastër kërkojnë kontrolle për çmimet abuzive
Në pazarin karakteristik të Gjirokastrës, një nga zonat më të vizituara të qytetit, disa prej administratorëve të bizneseve kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me çmimet që po aplikohen nga një pjesë e bizneseve të tjera.
Ata theksojnë se pavarësisht rritjes së kostove, kanë zgjedhur të ruajnë çmimet që kanë pasur prej vitesh për të mos cenuar përvojën e vizitorëve dhe për të ruajtur imazhin e qytetit.
“Abuzohet me çmimet, por unë për vete një menu kam pasur qysh para pesë viteve. Shoh që më vijnë turistët edhe për herë të dytë, të tretë. Por një birrë 600 lekë?! E shumta është 100 lekë po ta blesh në treg.“
Administratorët theksojnë se ndihen të penalizuar nga praktikat e padrejta të disa subjekteve të tjera, të cilat sipas tyre abuzojnë me çmimet, duke ndikuar negativisht jo vetëm te konsumatorët, por edhe te reputacioni i përgjithshëm i pazarit.
“Duhet parë ky problem, sepse është një mundësi e mirë për të rritur fluksin e turistëve.“
“Ata që abuzojnë me çmimet dihet që i bëjnë dëm vetes në radhë të parë, por edhe të gjithëve, sepse lënë një imazh tjetër.“
Bizeset në zonën e pazarit kërkojnë ndërhyrje nga autoritetet përkatëse dhe propozojnë vendosjen e disa standardeve të përbashkëta për të ruajtur identitetin e pazarit karakteristik të Gjirokastrës.
Sipas tyre, transparenca në çmime dhe respektimi i një niveli të drejtë shërbimi është çelësi për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit dhe mbështetje për bizneset vendase.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




