Blegtoria në sezonin e kullotave, ushqyerja natyrale e kafshëve ndikon në rritjen e prodhimit të qumështit

Aktualitet | 6 muaj më parë

Me ardhjen e sezonit të pranverës dhe rritjen e temperaturave, blegtorët kanë nisur ushqyerjen e kafshëve kryesisht në kullota natyrale.

Sipas Përgjegjësit të punës racore në QTTB, kullotat e gjelbra dhe ushqimi natyral ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë dhe sasinë e qumështit, ndaj fermerët duhet të tregojnë kujdes të veçantë për ushqyerjen dhe mirëmbajtjen e kafshëve gjatë kësaj periudhe.

“Shkëputja e qingjave nga dhentë është kryer dhe ezauruar plotësisht. Pra, kafshët në këtë periudhë janë në fazën e mjeljes së tyre. Ndërsa te dhitë është bërë së fundmi shkëputja e kecave nga nëna e tyre për një jetë të pavarur. Është caktuar remonti që do të mbahet për ripërtëritjen e tufës dhe normalisht ka filluar edhe mjelja e dhive.

Është e rëndësishme që këto kafshë të kulloten sa më mirë dhe të kemi një prodhimtari sa më rezultative, me qëllim që fermerët të plotësojnë të gjitha kriteret e mbarështimit të kafshëve dhe të marrin pjesën e tyre ekonomike, sepse ezaurohet i gjithë viti biologjik dhe kalendarik i prodhimtarisë së qumështit”, tha Lazart Suraj, përgjegjës i sektorit të punës racore, QTTB Korçë.

Suraj thekson gjithashtu rëndësinë e shkëputjes në kohën e duhur të të vegjëlve nga nëna, proces i cili ndikon si në zhvillimin normal të tyre, ashtu edhe në rritjen e prodhimit të qumështit për treg.

Blegtorët shprehen se kushtet e favorshme klimatike të kësaj periudhe kanë ndikuar pozitivisht në kullota, duke krijuar më shumë mundësi për ushqim natyral dhe ulje të kostove për fermerët.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme