Blerje të pakta për shkollën, prindërit shtyjnë përgatitjet, tregtarët presin rritje të shitjeve

Arsim | 2 muaj më parë

Më 14 shtator nis viti i ri shkollor, por vetëm pak javë para rikthimit të nxënësve në banka, prindërit në Kukës duket se ende nuk kanë nisur përgatitjet për sezonin e ri shkollor. Në tregun industrial të qytetit, tregtarët thonë se lëvizjet janë të pakta dhe shitjet mbeten nën pritshmëritë e tyre.

“Mall kemi sjellë sa të duash, por nuk ka fëmijë, sepse kanë ikur të gjithë jashtë. I ke nga një ose dy nëpër shtëpi. Po, furnizimet i kemi bërë që të jenë të mjaftueshme edhe për muajt dhe vitet në vijim. Fluksi ka filluar që një javë përpara, por njerëzit nuk kanë fëmijë”, tha një shitës.

Sipas prindërve, përgatitja e një fëmije për vitin e ri shkollor kërkon mesatarisht rreth 10 mijë lekë, në varësi të produkteve që zgjidhen dhe nevojave të nxënësit.

“Kemi ardhur për të blerë kostumin, çantën, lapsat, fletoret dhe librat. U bë gati për shkollën, pasi shkolla hapet më 14 shtator”, tha një prind.

Rënien e blerjeve në këtë periudhë tregtarët e lidhin jo vetëm me kushtet ekonomike të familjeve, por edhe me uljen e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin në qytet dhe zonat përreth. Ndërsa 14 shtatori po afron, tregtarët shpresojnë që ditët e fundit para fillimit të mësimit të sjellin më shumë blerës dhe të gjallërojnë tregun e artikujve shkollorë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme