Braçe kritika Shoqatës së Hidrokarbureve: Edhe pa taksa kemi çmimin më të lartë në rajon

Politikë | 7 muaj më parë

Gjatë seancës në plenare nw Kuvend, deputetit socilaist Erion Braçe deklaroi se Shqipëria ka aktualisht çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në rajon, duke kërkuar vëmendje ndaj modelit të tregut në këtë sektor.

Ai akuzoi Shoqatën e Hidrokarbureve se funksionon si kartel, që mban çmime të larta dhe përdor tone kërcënuese që, sipas tij, cenojnë sigurinë kombëtare.

Braçe ngriti shqetësimin për çmimin e lartë të naftës dhe modelin e tregut të hidrokarbureve në vend, duke e cilësuar atë si problematik dhe të rrezikshëm për sigurinë kombëtare.

“Duhet të kthejmë vëmendjen nga modeli i tregut që kemi në këtë sektor. Është shumë e rëndësishme që narrativa që synon të fshehë elementë të posaçëm dhe modeli që kemi në tregun e hidrokarbureve të mos gjejë hapësirë të mjaftueshme për të zhurmuar ose fshehur e tërhequr vëmendjen në drejtime të tjera,” tha Braçe.

Deputeti theksoi se Shqipëria ka çmimin neto më të lartë të hidrokarbureve në rajon, edhe pa taksa.

“Me tregun dhe çmimet e sotme në bursë, ne kemi çmimin neto të hidrokarbureve më të lartë në të gjithë rajonin. Po flas për çmimin neto, pa taksa fare, që është më i larti se në Greqi, Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e Serbi,” u shpreh ai.

Braçe adresoi edhe reagimin e furnizuesve të hidrokarbureve, duke akuzuar një shoqatë që sipas tij funksionon si kartel dhe ka përdorur tone kërcënuese.

“Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon në treg si kartel, tone kërcënuese për të ndërprerë furnizimin, importin e me radhë. Janë tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe duhet të marrin përgjigje duke shembur modelin e tregut të hidrokarbureve që garanton fitime, arrogancë dhe kërcënime nga operatorët në këtë treg,” tha ai.

Deputeti socialist shtoi se Bordi i ngritur nga qeveria ka rol vetëm për transparencë dhe jo për vendosjen e çmimeve, duke evidentuar problemet e tregut.

Ai pranoi se niveli i lartë i taksave ndikon, por sipas tij problemi kryesor mbetet modeli i tregut të hidrokarbureve.

“Bordi funksionon në bazën e transparencës, që të jenë të gjithë të qartë ku është problemi: te tatimet, taksat apo modeli i tregut. Ajo që më bëri përshtypje ishin tonet kërcënuese të një shoqate që funksionon si kartel për të ndërprerë importin. Tone kriminale që kërcënojnë sigurinë kombëtare në vend,” përfundoi Braçe.

Në fjalën e tij, Braçe u ndal edhe tek ndikimi i kursit të këmbimit dhe krizës në Lindjen e Mesme, duke theksuar se këto faktorë kanë ndikuar në rritjen e çmimeve të naftës dhe ushqimeve, por se vëmendja duhet të përqendrohet tek mënyra si funksionon tregu i brendshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme