Britania zgjat misionin në KFOR, mbështetja për paqeruajtësit në Kosovë do të vazhdojë deri në fund të vitit 2028

Kosovë | 1 vit më parë

Mbretëria e Bashkuar ka riafirmuar mbështetjen e tyre për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, për të paktën edhe tre vite të tjera. Lajmi u konfirmua nga Forcat e Armatosura Britanike, të cilat konfirmuan angazhimin për paqe dhe stabilitet në rajon. Që prej vitit 1999, kur paqeruajtësit e NATO-s hynë në Kosovë, Britania ka qenë ndër kontribuesit kryesorë të misionit. Sipas qeverisë britanike, vendi ka në gatishmëri një forcë rezervë me qindra trupa që mund të dislokohen në çdo kohë nëse situata e kërkon.

Dislokimi më i fundit ndodhi në vitin 2023, pas sulmit të armatosur ndaj Policisë së Kosovës në veri. Londra thotë se zgjatja e misionit deri në dhjetor 2028 është pjesë e strategjisë “NATO në radhë të parë”, e miratuar në rishikimin e fundit të mbrojtjes. Kryeministri britanik Keir Starmer deklaroi se “përkushtimi ynë për paqen në Ballkan është i palëkundur dhe bashkëpunimi me partnerët tanë është thelbësor për sigurinë rajonale dhe kombëtare”.

Ndërkohë, ministri britanik për Forcat e Armatosura, Alistair Carns, tha se ushtarët britanikë kanë kryer qindra misione në kuadër të KFOR-it dhe do të vazhdojnë ta bëjnë këtë për sigurinë e Kosovës dhe rajonit. Aktualisht, KFOR-i ka mbi 4.600 trupa nga 33 vende të ndryshme dhe është forca e tretë e sigurisë në vend, pas Policisë së Kosovës dhe EULEX-it. Misioni i NATO-s ka nën përgjegjësi edhe sigurinë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë. Prania e KFOR-it u shtua ndjeshëm gjatë vitit 2023, kur tensionet në veriun me shumicë serbe u përshkallëzuan.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme