Brukseli akuzon Rusinë për ndërhyrje të qëllimshme ndaj avionit të Ursula von der Leyen

Europë | 1 vit më parë

Komisioni Evropian akuzoi të hënën Rusinë për një sulm të qëllimshëm ndërhyrjeje ndaj avionit të Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, pasi bllokimi i sinjalit GPS detyroi ekuipazhin të përdorte harta letre për të ulur avionin në Bullgari.

Një zëdhënëse e Komisionit Evropian, Arianna Podestà, konfirmoi incidentin për mediat: “Mund të pohojmë se pati ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul në mënyrë të sigurt në Bullgari.”

Autoritetet bullgare dyshojnë se pas ndërhyrjes qëndron Rusia, ndërsa kanë njoftuar se GPS-i u ndërpre gjatë afrimit të avionit në aeroportin e Plovdivit.

Menjëherë, shërbimet e trafikut ajror aktivizuan një protokoll alternativ uljeje duke përdorur sisteme të navigimit tokësor.

Podestà theksoi se hetimet i takojnë Bullgarisë, pasi incidenti ndodhi në hapësirën e saj ajrore.

E pyetur nëse von der Leyen ishte objektivi i ndërhyrjes, ajo tha se “këto pyetje duhet t’i drejtohen Rusisë”.

Ndërkohë, Kremlini mohoi çdo përfshirje. Zëdhënësi Dmitry Peskov i tha “Financial Times”: “Informacioni juaj është i pasaktë.”

Ngjarja vjen në një moment tensionesh të shtuara mes Rusisë dhe BE-së, vetëm një javë pasi sulme raketore ruse dëmtuan rëndë zyrat e delegacionit të BE-së në Kiev. Von der Leyen e ka quajtur presidentin rus, Vladimir Putin, një “grabitqar” dhe ka akuzuar Rusinë për sulme kibernetike e hibride ndaj vendeve të BE-së.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme