Burg për vajzën dhe të dashurin në Fier, bashkëpunuan për vrasjen e babait të 26-vjeçares, në burg edhe nëna
Arrest me burg për nënë e bijë, Emalinda dhe Valbona Rama, ka dhënë Gjykata e Fierit për vrasjen e familjarit te tyre tri ditë më parë në fshatin Frashër.
Gjyqtarja Klodiana Kryeziu, pasi dëgjoi provat dhe deklarimet e Valbonës, nënës së saj, si dhe të Çlirim Doganit, më të cilin dyshohet se 26-vjecarja kishte lidhje intime, la në fuqi masën e arrestit me burg.
Vrasja e Anesti Ramës ndodhi më datë 23 korrik, ndërsa vajza dhe gruaja u munduan ta paraqesin si vdekje natyrale. Policia konstatoi shenja dhune në trupin e pajetë.
Avokati Kastriot Durmishaj ka kërkuar nga gjykata që Emalinda dhe Valbona Rama të shtrohen në një institucion psikiatrik. Sipas tij, të dyja kanë ndryshuar disa herë dëshmitë dhe nuk i qëndrojnë një versioni të qëndrueshëm në lidhje me ngjarjen.
“Unë mendoj se është i nevojshëm kontrolli i tyre psikiatrik dhe ajo që kërkova si masë shtrënguese ishte shtrimi i detyrueshëm në spital psikiatrik duke parë çekuilibrin e tyre gjatë këtyre katër-pesë ditëve që ato nuk i qëndrojnë deri në fund një versioni të dhënë në fillim,” u shpreh z. Durmishaj.
Avokati u ndal gjithashtu në marrëdhënien mes Emelinda Ramës dhe Çlirim Doganit, ndërsa ky i fundit ka mohuar përfshirjen në krim.
“Dogani foli që ‘unë s’kam pasur asnjë lloj informacioni për veprën për të cilën akuzohem. I kam njohur thjesht si qytetare që i merrja në autobus kur bëja linjën Arapaj–Fier’,” shtoi avokati.
Ngjarja e rëndë tronditi opinionin, ndërsa hetimet kanë zbuluar elemente që shtojnë dyshimet se vrasja u krye në bashkëpunim mes tre të akuzuarve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




